April 29, 2024
Rajon - Botë

Apel: Ta veshim facebookin kuq e zi, mos të lejojmë të na e ndalojnë shqiponjën

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë thirrje që të gjithë shqiptarët të vendosin flamurin Kuq e Zi në profilet e tyre në Facebook.

Ai ka thënë se kjo duhet bërë në shenjë proteste për rastin e ndodhur ditë më parë, kur një fëmije shqiptar iu ndalua të mbante veshur fanelën me shqiponjë.

“Shqiponja është e jona. Prandaj e mbajmë me krenari. Të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Tendenca për t’na ndalu shqiponjën është tentativë për t’na mohu identitetin”.

“Nuk pranojmë. Prandaj nuk mundeni. Në shenjë proteste për rastin e ndodhur ditë më parë, kur një fëmije shqiptar iu ndalua të mbante veshur fanelën me shqiponjë. Ta veshim facebookin kuq e zi”, ka shkruar Kamberi në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe, partia opozitare Lëvizja Demokratike (LD) ditë më parë ka alarmuar për një familje shqiptare të Gostivarit, e cila është maltretuar nga policia serbe, sepse siç kanë thënë, fëmija i kësaj familje ka pasur veshur bluzë me shqiponjë.

Nga kjo parti kanë bërë të ditur se familjes në fjalë i është ndaluar edhe hyrja në Serbi deri në vitin 2031.