Zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, ka njoftuar se është përmbyllur procesi i sistemimit të anëtarëve të Ansamblit, duke e cilësuar këtë si një nga zotimet më të rëndësishme të realizuara gjatë mandatit të tij.

Sulejmani theksoi se në ditët e para të marrjes së detyrës ishte takuar me anëtarët e Ansamblit, të cilët kishin mbetur pa punë pas ndërprerjes së kontratave nga drejtuesit e mëparshëm. Sipas tij, atëherë kishte premtuar se do të angazhohej për rikthimin e tyre në vendet e punës dhe për sigurimin e stabilitetit afatgjatë të këtij institucioni kulturor.

“Për shkak të procedurave administrative dhe teknike, procesi u realizua në disa faza. Sot, me nënshkrimin e pesë vendimeve të fundit të punësimit, përmbyllëm edhe fazën e tretë dhe të fundit, duke e kompletuar Ansamblin me gjithsej 45 vendime pune”, ka deklaruar Sulejmani.

Ai vlerësoi se ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për artistët, por edhe për kulturën shqiptare në vend, duke theksuar se investimi në institucionet kulturore nënkupton investim në identitetin, traditën dhe dinjitetin kombëtar.

Zëvendësministri u uroi suksese anëtarëve të Ansamblit dhe premtoi se mbështetja institucionale për ta do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Sulejmani bëri të ditur se gjatë mandatit të tij, përveç 45 vendimeve të punësimit në Ansambël, në institucionet kulturore janë realizuar edhe mbi 80 punësime të tjera.

“Pas një viti e gjysmë në detyrën e zëvendësministrit të Kulturës, ndihem krenar që kemi arritur të kthejmë dinjitetin e shumë artistëve dhe punonjësve të kulturës, duke dëshmuar se me përkushtim dhe vullnet politik, premtimet mund të bëhen realitet”, ka theksuar ai.

sqShqip