May 21, 2024
Maqedoni

Anëtarja e kryesisë në Alternativa: Votova kundër hyrjes në Qeveri, por respektoj vendimin e shumicës

Të dashur miq, e të respektuar mbështetës të mi,

Në mbledhjen e Kryesisë qendrore të partisë së cilës i takoj – AlternAtivA, ku u shqyrtua përfshirja në qeverinë aktuale, gjegjësisht fillimi i bisedimeve për të njëjtën, i shpalosa argumentet e mia dhe votova KUNDËR.

Por, meqë në demokraci pranohet vendimi i shumicës edhe atëherë kur qëndrimet e të tjerëve nuk përputhen me qëndrimet e tua, unë këtë duhet ta respektoj. Megjithëse qëndrimi im ishte –kundër- kjo nuk do të thotë se patjetër të jetë edhe qëndrim i drejtë, duke pasur parasysh rrethanat aktuale. Ndoshta të tjerët kanë pasur më shumë të drejtë, por këtë, megjithatë do t’ia lëmë kohës për ta dëshmuar.

Sidoqoftë, vazhdoj të ndaj bindjen se lufta për drejtësi mund të bëhet si në rrafshin individual, ashtu edhe në atë grupor dhe të përgjithshëm, njëlloj siç mundet secili njeri i vullnetit të mirë të japë një kontribut modest për mirëqenien e qytetarëve. Këtë ua kemi për borxh fëmijëve tanë, gjeneratave të reja dhe shoqërisë në përgjithësi, qoftë si pushtetarë, qoftë si opozitarë, apo thjesht si njerëz të ndërgjegjshëm.

Nëse vendimi i marrë do të efektuohet, uroj që AlternAtiva t’u mbetet besnike përcaktimeve programore dhe të japë kontribut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sundimin e së drejtës, barazisë dhe mirëqenies së qytetarëve, atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi para qytetarëve!

Në fund, uroj, që secili nga ne ta ketë fatin politik ashtu siç i ka qëllimet! (Nafie Selmani)