Me pranimin e saj se, po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998, Snezhana Paunoviq, ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, është renditur lart në listën patriotike të mbrojtësve modernë më të mëdhenj të krahinës jugore serbe, në prag të zgjedhjeve. Edhe më e rëndësishme është se, me këtë deklaratë të saj me përmbajtje naziste, të bërë pa asnjë hezitim në një televizion kombëtar, ministrja “spastruese etnike” i zbulon publikisht dhe pa maskë publikut serb dhe opinionit të gjerë se, sipas saj, Slobo kishte dështuar në detyrën më të rëndësishme – spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë. A është vallë kështu? Apo ndoshta nënkryetarja e SPS-së – e njohur më herët edhe si deputete që përfitonte rregullisht mijëra euro shpenzime udhëtimi për itinerarin Beograd–Pejë, ndonëse nuk jeton në Pejën e saj të lindjes prej më shumë se 25 vitesh – me këtë qasje nacional-socialiste ka shpifur dhe diskredituar udhëheqësin e të gjithë serbëve dhe bashkëpunëtorët e tij në luftën për një Kosovë etnikisht të pastër? Le të shohim disa nga faktet elementare, të cilat në Serbi nuk ruhen nga Akademia Serbe e Shkencave, tekstet e historisë apo muzetë, por nga heshtja tradicionale serbe.

Policia serbe dhe Ushtria Jugosllave, në bashkëpunim me dhjetëra formacione vullnetare dhe paramilitare, gjatë dy viteve të konfliktit dhe luftës në Kosovë (1998–1999), dëbuan më shumë se 863.000 shqiptarë nga Kosova drejt Maqedonisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë – eksodi më i madh i këtij lloji në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas rezultateve të verifikuara dhe të konfirmuara nga organizata relevante joqeveritare, gjatë luftës në Kosovë u vranë ose u zhdukën 13.535 persona. Nga ky numër, 10.812 (80%) ishin shqiptarë, 2.197 (16%) serbë, ndërsa 526 i përkisnin komuniteteve të tjera. Viktima civile ishin 10.317, prej tyre 8.676 shqiptarë, 1.196 serbë dhe 445 nga komunitetet e tjera.

Pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s, Vojisllav Shesheli, atëherë nënkryetar i fuqishëm i Qeverisë së koalicionit SPS–SRS–JUL dhe më vonë i dënuar për krime lufte, deklaroi:

“Nëse vjen bombardimi nga NATO, nëse vjen agresioni amerikan, ne serbët do të vuajmë shumë, por shqiptarë në Kosovë nuk do të ketë!”

" "

Thelbi i strategjisë shtetërore dhe kombëtare serbe në një fjali të vetme – të cilën Slobodan Millosheviqi nuk e tha kurrë, sepse nuk kishte nevojë. Jo vetëm komandantët, policët dhe ushtarët, por çdo serb i armatosur e dinte se çfarë duhej të bënte kur të vinte momenti. Fillimi i bombardimeve të NATO-s u bë sinjali për përshkallëzimin e planifikuar dhe sistematik të vrasjeve individuale, ekzekutimeve masive dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova.

Me idenë se “shqiptarëve duhet t’u pritet koka”, pjesëtarët e Grupeve Operative të Kërkimit (OPG) eliminuan intelektualë dhe figura të shquara të shqiptarëve të Kosovës. Ndër të parët, natën mes 24 dhe 25 marsit, ndërsa Prishtina jehonte nga shpërthimet e raketave të NATO-s, nga shtëpia e tyre në Fushë Kosovë u morën dhe u pushkatuan avokati Bajram Kelmendi dhe djemtë e tij Kastriot dhe Kushtrim.

Në Gjakovë, ekzekutorët serbë hynë në shtëpinë e mjekut të njohur dr. Izet Hima dhe e vranë para syve të bashkëshortes së tij. Të njëjtët autorë, në mënyrë të ngjashme, vranë edhe avokatin e njohur gjakovar Urim Redzha. Në fillim të majit, në Lipjan u vra edhe dr. Fehmi Agani, profesor universitar i respektuar nga shumë njerëz në Kosovë. Gjuetia ndaj shqiptarëve të shquar vazhdoi deri në mesin e qershorit, kur KFOR-i hyri në Kosovë.

Me fillimin e bombardimeve të NATO-s u përshkallëzuan edhe krimet masive kundër civilëve shqiptarë në mbarë Kosovën. Banorët e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, në komunat e Prizrenit dhe Rahovecit, kërkuan strehim në pyjet përreth për t’u shpëtuar tankeve të Ushtrisë Jugosllave dhe policisë serbe. Ndërsa shikonin paramilitarët duke plaçkitur dhe djegur shtëpitë e tyre, u rrethuan nga policët lokalë. Grave dhe fëmijëve u urdhërua të niseshin drejt Shqipërisë, ndërsa burrat u kontrolluan hollësisht; atyre iu morën dokumentet personale, paratë dhe sendet me vlerë, pastaj u futën në një stallë bosh. Pasoi breshëria e mitralozëve dhe armëve automatike.

Për të zhdukur gjurmët e krimit ndaj më shumë se njëqind shqiptarëve, shtetas të Serbisë, policët lokalë dhe pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë hodhën sanë mbi trupat e të vrarëve, i spërkatën me benzinë dhe ua vunë flakën.

Në operacionin “Reka”, të zhvilluar në rajonin e Gjakovës më 27 dhe 28 prill 1999, u vranë më shumë se 350 shqiptarë, kryesisht të rinj, ndërsa rreth 4.000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan drejt Shqipërisë.

Në bazë të provave për këtë dhe shumë krime të tjera lufte të kryera në Kosovë, në Tribunalin e Hagës u gjykuan dhe u dënuan gjeneralët serbë Dragoljub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Vladimir Lazareviq, Sreten Lukiq dhe të tjerë. Për ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe për spastrimin etnik në Kosovë u gjykua edhe Slobodan Millosheviqi, president i Serbisë dhe i RFJ-së, por ai nuk e priti vendimin, pasi vdiq në mars të vitit 2006 në njësinë e paraburgimit të Tribunalit.

Këto janë vetëm disa nga faktet e pakontestueshme, ndërkohë që e vërteta e plotë historike për tragjedinë e dy popujve në Kosovë – shqiptarëve dhe serbëve – vazhdon të fshihet dhe të falsifikohet, ndërsa nga njerëz të pandershëm e të ulët, si kjo ministre me bindje nacional-socialiste, keqpërdoret për motive të ulëta të ruajtjes së pushtetit dhe, madje, për qëllime edhe më të rënda kriminale.

*Rade Radovanoviq, gazetar dhe shkrimtar i mirënjohur nga Beogradi

sqShqip