July 23, 2024
Maqedoni

Amirbajov: Ohri mund të jetë nikoqir i takimit të Azerbajxhanit, Armenisë dhe Gjeorgjisë

Është ideja e Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, që të organizohet një takim në të cilin do të marrin pjesë tre vendet e Kaukazit Jugor – Azerbajxhani, Armenia dhe Gjeorgjia, për të menduar për mënyrat e shfrytëzimit të mundësive për bashkëpunim rajonal dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tri vendeve, thotë në një intervistë ekskluzive për MIA, i dërguari special i presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliev, Elçin Amirbajov, i cili ishte për vizitë në vend.

Në lidhje me mundësinë e mbajtjes së një prej takimeve në Ohër në kuadër të negociatave për paqen mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, ai thotë se ende nuk ka dëgjuar për një propozim të tillë, por për një ide për një takim të tre vendeve të Kaukazit Jugor. Amirbajov tha se një nga arsyet e vizitës së tij në vend është që të informojë kolegët e tij maqedonas për situatën aktuale në lidhje me sigurinë e rajonit të Kaukazit Jugor, më konkretisht për procesin e paqes në vazhdim mes Bakusë dhe Jerevanit, duke marrë parasysh se Maqedonia e Veriut po kryeson këtë vit me OSBE-në, anëtarë të së cilës janë të dyja vendet.

Amirbajov thekson se negociatat e paqes ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë janë intensifikuar që nga maji i këtij viti dhe shpreson që ato të vazhdojnë së shpejti. – Marrëveshja e paqes është e arritshme, por duhen dy për tango, shton Amirbajov.

Në intervistën për MIA-n, e cila do të publikohet nesër me video material, ai flet edhe për potencialin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve tona dhe Azerbajxhanit, i cili, siç thekson ai, ende nuk është shfrytëzuar plotësisht, edhe pse ka shumë mundësi. Ai vlerëson se duhet të ketë kontakte më të shpeshta, jo vetëm ndërmjet autoriteteve të dy vendeve, por edhe mes komuniteteve të biznesit, përmes forumeve të ndryshme të biznesit, si dhe takimet e delegacioneve nga ministritë përkatëse mund të jenë gjithashtu interesante.