Rajon - Botë

Ambulancat egjiptiane fillojnë të hyjnë në Gaza përmes vendkalimit Rafah

Ambulancat egjiptiane mëngjesin e sotëm kanë filluar të hyjnë në Rripin e Gazës përmes pikës kufitare Rafah në përgatitje për të transportuar pacientë palestinezë të plagosur rëndë dhe për t’i trajtuar në spitalet egjiptiane, raporton Anadolu.

Transmetuesi privat “Al Qahera News” raportoi se 40 ambulanca kanë kaluar përmes vendkalimit nga Egjipti.

Kanali tha se spitalet egjiptiane janë ripajisur dhe përmirësuar në përgatitje për të pritur rreth 80 palestinezë të plagosur rëndë.

Ai gjithashtu raportoi se automjetet dhe kamionët kanë filluar të lëvizin drejt Gazës, së bashku me përgatitjet në Egjipt për të ofruar ndihmë të mëtejshme humanitare për enklavën e rrethuar.

“Disa individë me kombësi të huaj u mblodhën përpara portës së vendkalimit. Megjithatë, asnjë ambulancë ende nuk ka hyrë në anën palestineze të vendkalimit”, raportoi një korrespondent i Anadolu-t.

Korrespondenti konfirmoi se ekipet e Kryqit të Kuq dhe të Mjekëve pa Kufij kanë mbërritur në anën palestineze të vendkalimit.

Mbrëmë, autoritetet egjiptiane informuan Autoritetin e Përgjithshëm të Kalimeve dhe Kufijve në Gaza se kalimi kufitar Rafah do të hapet sot për të filluar lehtësimin e kalimit të pacientëve palestinezë të plagosur rëndë për t’u trajtuar në Egjipt.

“Ne jemi informuar nga pala egjiptiane se 81 persona të plagosur rëndë do të nisen për trajtim në spitalet egjiptiane të mërkurën”, tha autoriteti.