May 5, 2024
Maqedoni

Ambasadori amerikan: Nuk do të lejojmë një Republika Sërpska në Kosovë, duhet të keni besim te ShBA-të

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, duhet të formohet dhe se ShBA-të nuk do ta lejojnë që ai të shndërrohet në një “Republika Sërpska”.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Hovenier tha se Kosova duhet të ketë besim në ShBA-në, sepse sipas tij zotimet që i kanë dhënë do t’i mbajnë

“Besoj se duhet të ketë një lloj besimi te ShBA-të, dhe në zotimet që ne kemi bërë se nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne jemi pajtuar që të mos ndodhë ashtu dhe jemi serioz për këtë”, tha ai.
Tutje ai tha se Kosova të lëvizë përpara drejt krijimit të një Asociacioni që adreson shqetësimet e komunitetit serb në Kosovë ose i vendos ata në një status më të mirë, pa rënë ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“Pajtohem se duket që Serbia ka një vizion të ndryshëm, por kjo nuk nënkupton që Kosova nuk mund të lëvizë përpara me Asociacionin që adreson shqetësimet e komunitetit etnik serb në Kosovë apo ua përmirëson atyre statusin, dhe të njëjtën kohë të jetë besnike ndaj të gjitha këtyre kufizimeve që unë sapo përmenda. Këtë po ia kërkojmë Kosovës”, tha ai.