Maqedoni

AlternAtivA në Manastir me kryetare të re

Mbrëmë u mbajt mbledhja e radhës e Kuvendit të Alternativës në Manastir, në të cilën u diskutuan zhvillimet e gjithmbarshme politike, në përgjithësi, dhe ato të zonës së pestë e Manastirit në veçanti. Ndërkohë, pasi që kryetarja e deritanishme e degës, Xhenita Miftaroska, për arsye objektive kërkoi të lirohet nga kjo detyrë, Kuvendi u angazhua ta zgjedhë kryetaren e re të degës.
Me këtë rast, konform statutit të partisë, me propozim të kuvendarëve, në mënyrë unanime për kryetare të degës së Alternativës në Manastir u zgjodh Dashurie Zekiri, e punësuar në Qendrën e Shëndetit Publik në Manastir.
Me këtë rast kryetarja e porsazgjedhur i falënderoi kuvendarët për besimin e dhënë, si dhe ish kryetaren për kontributin e deritanishëm, duke premtuar se do të vazhdojë me zhvillimin e Alternativës në Manastir dhe rrethinë, gjithsesi në të mirë në manastirasve dhe të gjithë banorëve të asaj zone.
Në këtë mbledhje të Kuvendit të Degës së Alternativës në Manastir ishin të pranishëm edhe disa nga drejtuesit e lartë të partisë. Kështu, sekretari organizativ, Bashkim Murtezi, duke i përshëndetur punimet e Kuvendit dhe duke e uruar kryetaren e re, foli për gjendjen e gjithmbarshme të strukturave partisë, duke u ndalur veçmas në sukseset e deritanishme të degës së Alternativës në Manastir. Përveç tij, Kuvendin e Degës e përshëndeti edhe nënkryetari i Alternativës, përgjegjës për zonën e pestë, Dr. Arben Labënishti, i cili bëri një elaborim të përgjithshëm të angazhimit të Alternativës si parti opozitare dhe për mundësitë e reja që janë hapur me ngjeshjen e koalicionit opozitar Lidhja Europiane për Ndryshim.
Në fund të pranishmit i përshëndeti edhe sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, i cili duke ia uruar zgjedhjen kryetares së re i falënderoi kuvendarët për angazhimin që e bëjnë për fuqizimin e opsionit të Alternativës në zonën e Manastirit, ndërsa theksoi se krejt kjo ngjeshje e strukturave po bëhet në frymë të betejës së ardhshme politike në pranverën e vitit tjetër, që pritet të kurorëzohet me fitore.