AlternAtivA: Kush e ka radhën të shpëtojë pas Todoroviqit?! A është ky Nikolla Gruevski?

Ndonëse dikujt i është dukur politikë ditore e dikujt edhe qasje antieuropiane kërkesa e Alternativës për amendamentin kushtetues për mosvjetrimin e lëndëve të korrupsionit politik, por synimi i saj ishte pikërisht që të mos harrohen kriminelët, të mos harrohen dhe të dënohen hajdutët e shtetit, të mos harrohen dhe të dënohen keqpërdoruesit e autoritetit dhe funksionit publik. Ky ka qenë shqetësimi dhe reagimi ynë i vazhdueshëm, që deri tash ka hasur në veshë të shurdhër, ndërsa pasojat e kësaj heshtjeje tashmë i shohim të gjithë.
Kështu tash, kur është miratuar Kodi i ri Penal, ish kryetari i Komunës Qendër të Shkupit, Vlladimir Todoroviq, i dyshuar dhe akuzuar për keqpërdorimin e pozitës për projektin “Shkupi 2014”, shpëton pa ferrë në këmbë nga padia dhe hetimi “Feniks”, madje atij i shfuqizohet edhe masa për arrest shtëpiak. Kjo ndodh sepse për veprimet e tij korruptive, që i ka kryer në vitin 2013, me ndryshimet e Kodit Penal, në vend se në vitin 2043, ato do të vjetrohen në vitin 2023 dhe ky afat nuk i jep gjykatës kohë për ta vërtetuar fajin dhe për ta përfunduar gjyqin.
Kjo është shqetësuese dhe jo e drejtë për të vetmen arsye – kështu përsëri nëpërkëmbet dinjiteti i qytetarëve, ngase pasojat e korrupsionit të tij i kanë prekur i kanë dëmtuar vetëm qytetarët e vendit tonë. Tash e kemi të qartë se pse këto ndryshime u bënë brenda natës.
Sidoqoftë, e rëndësishme është që qytetarët tashmë janë bindur se çka qenka më europiane dhe kush po vepron vërtet në interes të demokracisë dhe vlerave evropiane. Çfarë është më evropiane, të kërkosh të dënohet korrupsioni dhe ta luftosh me çdo mjet keqpërdorimin e pushtetit dhe vjetrimin e lëndëve korruptive apo ta ndryshosh Kodin Penal duke i liruar nga padia qindra të akuzuar për lëndë të tilla dhe t’i motivosh kriminelët e tjerë të veprojnë akte të tilla korruptive?
Megjithatë pyetja më e rëndësishme është: Kush e ka radhën pas Todoroviqit? Cili e ka radhën t’i shijojë frytet e ndryshimeve në Kodin Penal? A është në radhë Mijallkovi apo Jankullovska? Pas kësaj edhe Gruevki ka filluar të bëjë gati valixhen për t’u kthyer në Shkup ?