Gazetarja e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Alketa Gashi Fazliu, është shpallur fituese e çmimit “Orpheus Texts Journalist of the Year 2025”, një vlerësim ndërkombëtar që i jepet për përkushtimin e saj të vazhdueshëm ndaj gazetarisë profesionale, etike dhe në shërbim të interesit publik.
Çmimi është ndarë nga Mundus Artium Press, me seli në Universitetin e Teksasit në Dallas, e cila ka vlerësuar raportimin e paanshëm dhe të verifikuar me rigorozitet të Gashi Fazliut, si dhe respektimin e standardeve të larta profesionale.
Sipas Komisionit Përzgjedhës të Orpheus Texts, puna e saj karakterizohet nga qartësia analitike dhe ndjeshmëria humaniste, veçanërisht në mbulimin e zhvillimeve politike dhe shoqërore në Ballkan.
Sipas Orpheus Textsm, gjatë karrierës së saj, Alketa Gashi Fazliu ka raportuar për çështje politike, shoqërore, kulturore dhe arsimore që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën publike. “Gazetaria e saj dallohet për transparencë, drejtësi dhe fokus të qartë në interesin publik, duke kombinuar verifikimin e fakteve me thellësi kontekstuale”.
Përveç angazhimit individual, sipas Orpheus Texts, ajo është vlerësuar edhe për kontributin në forcimin e kulturës profesionale në redaksi dhe për lidershipin bashkëpunues. Paralelisht me punën në transmetime, Gashi Fazliu mbetet aktive në shkrim dhe kërkim, me botime dhe vlerësime profesionale në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në arsyetimin e tij, Komisioni vlerësues ka theksuar se “Alketa Gashi Fazliu mishëron idealet më të larta të gazetarisë dhe me punën e saj përforcon rolin thelbësor të mediave të pavarura në shoqëritë demokratike”.
Alketa Gashi Fazliu është punon në RTK prej gati dy dekadash, me përvojë në edicionet qendrore informative, programet e mëngjesit dhe gazetarinë kulturore, përfshirë mbulimin letrar. Veprimtaria e saj përfshin edhe realizimin e dokumentarëve, ekspozitave dhe botimin e librave në fushën e gazetarisë memorialë, thuhet në Orpheus Texts.

