Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka prezantuar sot një modul të ri elektronik për evidentimin e ndërhyrjeve kirurgjikale elektive në institucionet publike shëndetësore. Ky sistem, i cili do të jetë i aksesueshëm përmes një portali publik, synon të sjellë transparencë të plotë në listat e pritjes dhe të garantojë që çdo pacient të trajtohet sipas parimit “i pari ardhur, i pari shërbyer”.

Aliu theksoi se deri më tani evidentimi i operacioneve elektive bëhej përmes sistemit “Termini im”, por analiza ka treguar mangësi të shumta. Udhëzimet për operacion shpesh nuk lëshoheshin menjëherë pas konstatimit të nevojës, por vetëm para ndërhyrjes, ndërsa një pjesë e mjekëve përdornin forma të tjera regjistrimi ose lista në letër. Kjo ka krijuar pasaktësi në perceptimin e kohës së pritjes dhe nevojave reale të pacientëve.

Sipas të dhënave për vitin 2025, janë lëshuar 58.648 udhëzime për operacion, ndërsa numri i ndërhyrjeve të realizuara ka qenë 93.510 – një diferencë që tregon se nuk është respektuar detyrimi ligjor për lëshimin e udhëzimit specifik për operacion.
Moduli i ri do t’u mundësojë pacientëve të kërkojnë informacion përmes filtrave të ndryshëm si: specialiteti i mjekut, lloji i ndërhyrjes kirurgjikale, institucioni shëndetësor, numri i pacientëve në pritje etj. Lista e pritjes do të përditësohet çdo 24 orë, ndërsa pacientët që zgjedhin të operohen në klinika private do të hiqen automatikisht nga lista publike.

“Qëllimi është transparenca – të dimë në çdo institucion shëndetësor sa është lista e pritjes për një shërbim të caktuar. Deri tani kjo bëhej në letër, gjë që hapte mundësi për abuzime. Me sistemin e ri nuk do të ketë më keqpërdorime dhe çdo pacient do të dijë saktësisht kur është radha e tij. Ndërhyrjet urgjente, natyrisht, do të kryhen menjëherë”, deklaroi ministri Aliu. Ai shtoi se sistemi mund të ketë mangësi në fillim, por është një hap i domosdoshëm drejt modernizimit dhe transparencës. “Nga diku duhet të fillojmë. Informatikanët që punojnë në këtë projekt janë kreativë dhe do të gjejnë zgjidhje për çdo problem që mund të dalë”, tha Aliu.

sqShqip