Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në intervistën për Kanal 10 duke komentuar pozicionin e VLEN-it në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ka thënë se të arriturat e saj janë të pamohueshme.

Me këtë ai u ka dhënë fund zërave kritikë të opozitës, duke iu dalë zot fuqishëm kapaciteteve të këtij subjekti politik në ekzekutivin e këtushëm.

“Nga prizma e VLEN-it ne kemi aty një deputet të Vetëvendosjes, ata janë bërë tani një subjekt… Vetëm po them se të arriturat e VLEN janë të pamohueshme. Unë s’kam çka diskutoj më tutje, unë besoj në këto kapacitete”, është përgjigjur Kurti.

Ai ka thënë se në të kaluarën një parti tjetër shqiptare, duke aluduar në opozitën, ka bashkëqeverisur me një VMRO-DPNNE shumë më të egër ndaj shqiptarëve ku askush nuk ngrinte pikëpyetje të tilla.

Kurti në këtë intervistë ka përmendur rrugën Shkup- Bllacë dhe Prizren- Tetovë, si dhe distancimin strategjik të vendit tonë nga Ballkani i Hapur.

“Ajo që për ne është e rëndësishme si Republikë e Kosovës, është që Maqedonia e Veriut të mos jetë aktive në Ballkanin e Hapur si më herët dhe sa më parë ta përfundojmë rrugën Bllacë- Shkup dhe Prizren- Tetovë”, ka thënë Kurti.

Shton se tek kryeministri Hristijan Mickoski nuk ka parë inferioritet karshi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe këtë distancim nga ndikimi serb, ai e sheh si një mundësi të artë dhe të jashtëzakonshme.

“Është një hapësirë tepër interesante të cilën duhet ta mirëpërdorim”, ka thënë mes tjerash kryeministri Kurti.

sqShqip