Zv.kryetari i Komunës së Tetovës Albi Qamili, i ftuar në TV21 ka folur për kërkesën e studentëve të Fakultetit të Juridikut që provimin e Jurisprudencës ta japin edhe në gjuhën shqipe. Ai tha se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti dhe se studentët provimin do të mund ta japin në gjuhën shqipe.

“Kërkesa e studentëve për provimin e jurisprudencës është kërkesë legjitime. Ne i kemi pritur dhe jemi takuar me studentët, kryetari Kasami pasi i ka takuar studentët ka theksuar se kjo çështje do të zgjidhet. Me VLEN-in në qeveri, studentët dhe shoqëria në përgjithësi po flasin më hapur dhe i artikulojnë kërkesat e tyre”.

“Janë themeluar grupet e punës, anëtar i së cilës është profesori Jeton Shasivari. Në një të ardhme të afërt ky problem do të marrë fund dhe do të kemi zgjidhje të qëndrueshme dhe studentë do të kenë mundësi që provimin e jurisprudencës ta japin edhe në gjuhën shqipe. Nuk mund të jap afate, por studentët do ta japin provimin edhe në gjuhën shqipe”, tha mes tjerash Qamili.

VLEN: Të rinjtë janë motori i zhvillimit, shteti hap dyert e tregut të punës

Dielli i shpresës për të rinjtë tanë po ndriçon më fort se kurrë. Me Planin Operativ për Punësim për vitin 2025, nga gjithsej rreth 13.000 persona të planifikuar për përfshirje, 8,576 ose 70.9% janë të rinj deri në moshën 29 vjeç. Ky është një tregues i qartë i këmbënguljes së brezit të ri për të gjetur vendin e vet në tregun e punës dhe për të ndërtuar të ardhmen me duart e veta.

Në masën më tërheqëse për punësim, Vetëpunësimi për mbështetjen e sipërmarrjes, përkatësisht hapjen e një biznesi vetjak, nga gjithsej 2,755 biznese të reja të planifikuara, 1,896 janë hapur nga të rinj deri në moshën 29 vjeç. Ky është një sukses i madh që dëshmon se energjia, kreativiteti dhe guximi i të rinjve janë motori i zhvillimit ekonomik.

Këto fakte janë më shumë se statistika: ato janë shpresë e gjallë, janë dëshmi e këmbënguljes së rinisë sonë, që nuk dorëzohet para sfidave, por i shndërron ato në mundësi.

VLEN riafirmon se mbështetja për të rinjtë është prioritet i pandalshëm. Ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre, duke u dhënë diellin e shpresës, forcën e këmbënguljes dhe besimin se e ardhmja ndërtohet me punë të ndershme dhe vizion të qartë.

Albi Qamili: BDI kujtohet për kërkesat e shqiptarëve vetëm kur janë në opozitë

BDI-së i kujtohen kërkesat e shqiptarëve vetëm kur janë në opozitë, ndërsa kur janë në pushtet mendjen e kanë te aferat korruptive. Kështu tha zv/kryetari i Tetovës Albi Qamili në TV21, duke debatuar për përgjegjësinë e BDI-së në mos zgjidhjen e çështjes së Provimit të Jurisprudencës gjatë 20 viteve sa ishte në pushtet.

“Pse kur e solli Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk e mori parasysh Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve? Pse nuk e rregulluan me akt nënligjor që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në shqip? E kishin Krenar Llogën Ministër të Drejtësisë, Agim Nuhiun zv/ministër të Drejtësisë”, pyeti Qamili.

Ai theksoi se me gjithë atë pushtet që kishte, BDI-ja mund ta zgjidhte problemin e studentëve, por sipas tij, nuk e kishte mendjen te kërkesat e shqiptarëve por te aferat korruptive.

“Tani BDI derdh lot krokodili, por sa ishin në pushtet nuk i zgjidhën këto çështje, jo sepse nuk mundën, por sepse ishin të zënë me çështje të tjera, me afera korruptive”, tha Qamili.

sqShqip