Qeveria po mundohet të ndalojë punimet në Korridorin 8, alarmon kryetari i ASH-së Ziadin Sela. Ai theksoi se lajmi i para do ditëve që kompania “Bechtel & Enka” ka qenë e detyruar që të lëshojë nga puna diku rreth 50 punëtorë, për shkak se qeveria nuk po i plotëson obligimet financiare që i ka ndaj kësaj kompanie, nuk është i rastësishëm, shkruan gazeta KOHA.
“Burime të sigurta flasin se Qeveria, nëpërmjet këtij kushtëzimi financiar, mundohet që të devijojë dhe të ndalojë punimet që kanë të bëjnë me Korridorin 8 dhe në këtë formë, të përjashtojë nga këto projekte infrastrukturore të gjithë Pollogun, të përjashtojë lidhjen e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe Strugës”, theksoi Sela. Ai theksoi se në këtë mënyrë, kjo Qeveri mundohet që investimet ti shtyjë në aspekt të interesave të botës serbe dhe ndikimit rus. “Qeveria mundohet të ndal punimet që kanë nisur në korridorin 8 dhe punimet të vazhdojnë në drejtim të ndërtimit të segmentit Ohër-Manastir, Manastir-Prilep në mënyrë që direkt të bëhet lidhje përsëri me korridorin 10d. Kur flasim për këtë korridor qartazi shihen tendencat për të anashkaluar dhe për ta lënë pa ndërtuar korridorin 8 dhe me këtë në njëfarë forme ti hapet rrugë akoma më tepër botës serbe dhe nëpërmjet kësaj qasjes të drejtpërdrejtë të Rusisë në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Sela.
Ai me këtë rast u bëri apel edhe ambasadave të SHBA-ve, atyre të BE-së, që të ngrenë alarmin dhe të shohim se çfarë po bëhet në lidhje me Korridorin 8. Sela gjithashtu tha se është e pakuptimtë që ndërkohë që ndërtohen qindra kilometra në pjesën lindore të vendit, autostrada Shkup-Bllacë, e cila është vetëm 15 kilometra vazhdon të jetë temë diskutimi nëse do të ndërtohet apo jo, ndërsa autostrada Tetovë-Prizren nuk ka asnjë investim konkret.
“Aty janë për të mbrojtur interesat të atyre që i kanë votuar dhe duhet të bëjnë çmos që të mos lejojnë që këtë plan të errët, jo në të mirë të Maqedonisë të orientuar drejt Perëndimit, por që ky plan është plan i cili Maqedoninë e rreshton me aleancat të cilat nuk do të ishin të mira për Maqedoninë e Veriut”, theksoi Sela. Ai mohoi edhe dilemat nëse është në bisedime për hyrje në Qeveri, ndërsa sa i përket deputetit Ilir Demiri, ai nuk deshi të komentojë vendimin e tij për t’u përfshirë në VLEN, duke thënë se është distancuar nga veprimet e deputetit Demiri.
“Jemi distancuar dhe çështja e tij se cilat janë hapat e tjerë politik. Por në aspektin tjetër moral, ai ka marrë mandat si deputet i ASH-së dhe ai duhet të dorëzojë atë mandat”, theksoi Sela.
Ndërkohë, deputetët e ASH-së së Ziadin Selës, alarmojnë se në Parlament ka ndodhur një skandal, pasi deputetët e shumicës nuk kanë lejuar që në Komisionin për Financa dhe buxhet të debatohet për dy propozim-ligje të kësaj partie opozitare. Deputeti Elmi Aztiri theksoi se kjo gjë përbën një shkelje të rëndë të demokracisë dhe mendimit ndryshe.
“Deputetët e shumicës e eliminuan funksionin kryesor të Parlamentit që është debati, deputetët e shumicës dëshmuan mungesë të kapacitetit demokratik për t’u ballafaquar me mendimin ndryshe, deputetët e shumicës e mohuan të drejtën e deputetëve të opozitës që të bëjnë propozim-ligje në të mirë të qytetarëve. Cili është mesazhi? Mesazhi është që në këtë vend dhe në këtë Parlament nuk kemi nevojë për opozitë, deputetët e opozitës mund të ofrojnë vetëm nëse janë të dëgjueshmit e pushtetit deputetët e opozitës do të mund të propozojnë ligje vetëm nëse ato ligje janë në përputhje me synimet dhe objektivat e shumicës. Kjo nuk është demokraci”, theksoi Aziri.
Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, ndërkohë tha se procedura e seancës plenare dhe komisionit është respektuar plotësisht, ndërsa theksoi se deputeti Aziri ka të drejtë të reagojë për kulturën e përgjithshme të demokracisë. Ndërsa, deputetja e ASH-së, Ilire Dauti, nëpërmjet një procedurale i reagoi kryetarit të Parlamentit duke i kujtuar se në bazë të Rregullores, kryetari i Parlamentit ka të drejtë të vendosë në rend dite të seancës plenare një propozim-lig, i cili nuk ka kaluar në Komision.
“Realisht unë kërkoj nga ju që të thirreni në nenin 85, pika e dytë, e cila thotë se Parlamenti me përjashtim mund të diskutojë për çështje për të cilat trupi punues amë dhe Komisioni juridik-ligjdhënës nuk ka marrë qëndrim brenda afateve të parapara në nenet 156, 147, të kësaj rregulloreje. Pra, ju kryetar i Parlamentit keni pasur mundësi që sot, duke u thirrur te ky nen, të hapni debatin, në të kundërtën ju sot po krijoni një precedent të rrezikshëm që çdokush nga deputetët, nga shumicat kurdo qoftë, ti bllokojë procedurat parlamentare”, theksoi deputetja Dauti. Ajo tha se kjo sjellje e pushtetit dhe shumicës parlamentare flet për arrogancë të tepruar.
“Ju keni krizë të arrogancës. Ne nuk jemi kundër hapjes së debatit, ne e pranojmë edhe mendimin ndryshe, mund ta pranojmë edhe votën ndryshe, sepse, ne nuk mundemi t’ju detyrojmë juve të veproni ndryshe, por të silleni në këtë formë, në mënyrë arrogante, kjo është papranueshme. Ju po tentoni ta përvetësoni pushtetin, jo ta udhëheqni atë, pushteti nuk lejon pronarë”, theksoi deputetja Ilire Dauti.
Kryetari i Parlamentit, Gashi i tha deputetes Dauti se po shpejton me deklaratat e saj, ndërsa theksoi se procedura është plotësisht e respektuar. “Neni 2 që e cituat jep mundësi, por nuk është imperativ dhe unë këtë mundësi do ta jap, por jam duke vepruar në bazë të praktikës që e kemi vendosur në këtë Parlament. Duhet ti jepet kohë Komisioni të vendos dhe në momentin që nuk vendoset në Komision, unë do ta shfrytëzojë këtë të drejtë të Rregullores, pikën 2 të nenit 85 dhe do ta shqyrtojmë këtë pikë në rend dite në seancë plenare edhe nëse nuk kalon në Komision. Kështu që mos keni dert”, theksoi Gashi.
Zekolli mohon të ketë ulje të financave për Korridorin 8: Projekti vazhdon sipas planit
Zëvendësministrja për Transport dhe Lidhje, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka reaguar ndaj informacioneve të publikuara në opinion lidhur me gjoja uljen drastike të mjeteve për realizimin e Korridorit 8, duke theksuar se pretendime të tilla nuk përputhen me të dhënat zyrtare dhe nuk reflektojnë gjendjen reale të projektit, shkruan gazeta KOHA.
Sipas saj, planprogrami i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore për vitin 2026 parasheh rreth 103 milionë euro për projektet e Korridorit 8 dhe Korridorit 10d. Ajo theksoi se nga këto mjete më shumë se 60 milionë euro tashmë janë lëshuar gjatë këtij viti, me qëllim që kompania realizuese të vazhdojë punimet në terren sipas planprogramit dhe dinamikës së paraparë.
“Ky fakt dëshmon qartë se nuk bëhet fjalë për reduktim të mjeteve, por për vazhdim të realizimit të projektit në përputhje me planifikimin financiar dhe operacional”, deklaroi Zekolli Shaqiri.
Duke iu referuar çështjes së punëtorëve të angazhuar në projekt, ajo sqaroi se menaxhimi i fuqisë punëtore është përgjegjësi ekskluzive e konsorciumit realizues. Sipas saj, edhe vetë kompania “Bechtel & Enka” është prononcuar publikisht se çdo riorganizim i stafit është vendim operacional i saj dhe nuk lidhet me detyrime financiare të papërmbushura nga ana e shtetit.
Zëvendësministrja theksoi se Korridori 8, së bashku me Korridorin 10d, mbetet një ndër projektet më të rëndësishme strategjike dhe infrastrukturore për vendin. Ajo nënvizoi se me ardhjen e qeverisë aktuale është punuar intensivisht në secilin segment të projektit, me qëllim që punimet në terren të jenë të dukshme dhe të avancojnë sipas planit. “Realizimi i plotë i Korridorit 8 mbetet prioritet i panegociueshëm dhe do të vazhdojë deri në përfundimin e tij”, theksoi Zekolli Shaqiri.
Sa i përket segmentit të fundit që parashikon lidhjen me Shqipërinë, zëvendësministrja bëri të ditur se trasa e projektuar nga qeveria e kaluar nuk ka qenë e verifikuar në raport me kufizimet që lidhen me zonat e mbrojtura nga UNESCO. Sipas saj, kjo është një çështje e trashëguar nga vendimmarrjet e mëparshme.
“Megjithatë, për të vepruar me përgjegjësi institucionale, projekti me trasenë e paraparë tashmë është dërguar për shqyrtim në UNESCO, ndërsa institucionet do të veprojnë në përputhje me vlerësimin përfundimtar të kësaj organizate. Paralelisht, sipas saj, po shqyrtohen edhe alternativa të tjera të mundshme për realizimin e lidhjes rrugore me Shqipërinë. Në çdo rast, realizimi i plotë i Korridorit 8 dhe lidhja me Shqipërinë mbetet prioritet strategjik dhe do të realizohet”, tha ajo.
Në fund, Zekolli Shaqiri theksoi se përpjekjet për ta paraqitur projektin si të bllokuar apo të rrezikuar nuk qëndrojnë përballë fakteve.
“Faktet dhe të dhënat zyrtare janë të qarta: projekti po vazhdon sipas planit dhe mbetet prioriteti kryesor infrastrukturor i shtetit”, përfundon zëvendësministrja për Transport dhe Lidhje. (koha.mk)

