Ekspertët e krim-teknikës vonohen në vendngjarje, ndërkohë që SPB e Tetovës ka regjistruar 31 alarme të rrejshme deri tani

Urim HASIPI

Tetovë, 5 dhjetor – Alarmet e rrejshme për vendosje bombash nëpër objekte shkollore kanë dëmtuar rëndë procesin arsimor dhe kanë krijuar pasiguri të madhe psikologjike te nxënësit, prindërit dhe stafi mësimor. Vetëm në Gjimnazin “Kiril Pejçinoviç” në Tetovë, brenda 30 ditëve procesi mësimor është ndërprerë katër herë, për shkak të kërcënimeve që më pas rezultuan të pavërteta. Situata ka eskaluar deri në atë pikë sa drejtoria e shkollës po shqyrton bojkot të mësimit nëse institucionet nuk sigurojnë qetësi dhe reagim efikas.

“Kjo situatë ndikon jo vetëm në procesin mësimor, por edhe në aspektin psikologjik të nxënësve, në koncentrimin e tyre dhe shqetësimin e prindërve. Shprehim indinjatën tonë të thellë ndaj organeve të rendit, të cilat për herë të katërt nuk na kanë dhënë sqarim konkret për këto kërcënime. Po mendojmë të bojkotojmë mësimin nga java e ardhshme derisa të sigurohet qetësi në shkollë,” deklaroi drejtori i gjimnazit, Jeton Kamberi. Ai shtoi se në rast të çdo denoncimi, shkolla është e detyruar të evakuuojë nxënësit dhe të pezullojë mësimin për tërë ditën, gjë që dëmton rëndë ritmin arsimor.

Përveç alarmeve, drejtori Kamberi thekson edhe një problem tjetër serioz. “Ardhja e policisë së rregullt nuk vonohet më shumë se 20 minuta, por ekspertët e krim-teknikës dhe IT-së nuk po vijnë aspak. Edhe dje, edhe sot nuk erdhën. Pa ta, hetimi nuk mund të kryhet”. Ai shtoi se të enjten një kërcënim u dërgua për ndërrimin e paradites dhe nxënësit, nga paniku, nuk u rikthyen më në mësim. Në ndërrimin e pasdites, një pjesë e nxënësve nuk u paraqit fare. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se deri më tani janë regjistruar 31 raste të alarmeve për bomba, të gjitha të rrejshme.

“Këto alarme filluan në muajin shkurt, më pas pushuan, dhe u rikthyen përsëri gjatë nëntorit dhe dhjetorit. Departamenti i krimeve kompjuterike po punon për kapjen e autorëve, të cilët krijojnë panik tek popullata, veçanërisht tek nxënësit”, tha zëdhënësi Fatmir Rexhepi. “Përdorin adresa të reja email-i dhe i fshijnë menjëherë pas dërgimit. Në fillim kërcënimet dërgoheshin në adresat e shkollave, ndërsa tani drejtpërdrejt në adresën zyrtare të MPB-së,” sqaroi Rexhepi.

Deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar. Ndërkohë, paniku dhe pasiguria vazhdojnë, duke e bërë të vështirë funksionimin normal të shkollave. Drejtoria e Gjimnazit të Tetovës paralajmëron se nëse situata nuk stabilizohet dhe nëse policia nuk ndërhyn me më shumë efikasitet, shkolla mund të ndërmarrë masa drastike, përfshirë bojkot të procesit mësimor. “Nuk mund të vazhdojmë kështu. Nxënësit janë të shqetësuar, prindërit gjithashtu. Ne kemi obligim të garantojmë siguri, dhe derisa ajo të sigurohet, mësimi nuk mund të zhvillohet normalisht,” deklaroi drejtori Kamberi.

Alarme të tilla, edhe pse të rrejshme, po krijojnë një gjendje pasigurie të vazhdueshme në qytet dhe një barrë të rëndë për sistemin arsimor. Ministria e Punëve të Brendshme përsërit se po punon në zbardhjen e rasteve, por pa detaje konkrete se kur mund të pritet kapja e autorëve. (koha.mk)

sqShqip