Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ngritur aktakuzë ndaj ish-avokatit shtetëror Fehmi Stafa, ndaj të cilit po zhvillohej hetim për marrje ryshfeti.

Pas një procedure hetimore të plotë, një prokuror publik nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar në Gjykatën Penale Themelore në Shkup aktakuzë kundër një personi për veprën penale “Marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, e paraparë dhe e dënueshme sipas Kodit Penal, njoftojnë nga Prokuroria.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në periudhën nga tetori deri më 13 dhjetor 2025, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, ka pranuar gjithsej 50.000 euro për të ndërmjetësuar dhe për të shfrytëzuar ndikimin e tij real me qëllim që të ndërhyjë te një gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkup dhe përmes dhënies së ryshfetit të ndikojë që të kryhet një veprim zyrtar që nuk do të duhej të kryhej.

Nga Prokuroria shtojnë se, duke pasur parasysh rrethanat e pandryshuara mbi bazën e të cilave të akuzuarit i është caktuar masa e paraburgimit, prokurori kompetent së bashku me aktakuzën ka dorëzuar edhe propozim për vazhdimin e saj.

Stafa u arrestua më 13 dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas hetimit, në periudhën nga tetori deri më 13 dhjetor, ai ka pranuar gjithsej 50.000 euro për të ndërmjetësuar dhe për të ndikuar te një gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkup, në lidhje me një lëndë kundër klientit të tij – një person që ai e përfaqësonte si avokat.

Qëllimi ishte që përmes ryshfetit të ndikohej në një veprim zyrtar që nuk duhej të ndërmerrej.

Pas pranimit të parave, Stafa është privuar nga liria, ndërsa tek ai janë gjetur dhe sekuestruar mjetet monetare.
Personi për të cilin ish-avokati shtetëror duhej të siguronte heqjen e masës së paraburgimit është i dyshuari në rastin “Zinxhir”, Ljupço Pecov, i njohur me nofkën “Djalli”. Stafa, i cili është avokat i Pecovit në këtë rast, më herët kishte paraqitur kërkesë për zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak në mungesë të Pecovit, për çka ishte ofruar edhe garanci.

sqShqip