Rajon - Botë

Aksidenti me helikopter lë 22 ushtarë amerikanë të plagosur në Siri

Një aksident me helikopter në verilindje të Sirisë gjatë fundjavës la 22 anëtarë të shërbimit amerikan të plagosur, tha ushtria amerikane të martën, duke shtuar se shkaku i aksidentit ishte nën hetim dhe se nuk përfshihej asnjë sulm armiqësor.

Sipas njoftimit, pjesëtarët e shërbimit aktualisht janë duke iu nënshtruar trajtimit mjekësor, ku 10 prej tyre janë transferuar në objektet e kujdesit shëndetësor jashtë rajonit që ofrojnë kujdes më të avancuar.

“Një aksident me helikopter në Sirinë verilindore rezultoi në plagosjen e 22 anëtarëve të shërbimit amerikan”, tha ai. “Asnjë zjarr armiku nuk u raportua.”

Në Siri janë mesatarisht 900 forca amerikane, së bashku me një numër të pazbuluar kontraktorësh.

Forcat e operacioneve speciale të SHBA-së gjithashtu lëvizin brenda dhe jashtë vendit, por zakonisht janë në ekipe të vogla dhe nuk përfshihen në numërimin zyrtar.

Forcat amerikane kanë qenë në Siri që nga viti 2015 për të këshilluar dhe ndihmuar Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik (IS).

Që kur grupi ekstremist u mund në Siri në mars 2019, trupat amerikane janë përpjekur të parandalojnë çdo rikthim të tyre.

Megjithatë, fraksionet e mbetura të këtij grupi mbeten një kërcënim.

Janë gjithashtu rreth 10,000 luftëtarë të IS-it të mbajtur në objektet e paraburgimit në Siri dhe dhjetëra mijëra anëtarë të familjeve të tyre që jetojnë në dy kampe refugjatësh në verilindje të vendit.

Gjatë viteve të fundit, trupat amerikane i janë nënshtruar sulmeve të kryera nga anëtarët e IS dhe luftëtarët e mbështetur nga Irani atje.

Në fund të marsit, një sulm me dron në një bazë amerikane vrau një kontraktor dhe plagosi pesë trupa amerikane. Në shenjë hakmarrjeje, avionët luftarakë të SHBA-së goditën disa lokacione rreth provincës lindore të Deir el-Zour, e cila kufizohet me Irakun.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha në atë kohë se sulmet ishin një përgjigje ndaj sulmit me dron, si dhe një seri sulmesh të fundit kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA në Siri nga grupe të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit.

Në një zhvillim të ngjashëm, autoritetet siriane të udhëhequra nga kurdët njoftuan të shtunën se qindra luftëtarë të IS-it të mbajtur në burgjet në të gjithë rajonin do të dalin në gjyq pasi vendet e tyre të origjinës refuzuan t’i riatdhesonin.