May 18, 2024
Maqedoni

Ahmeti uron 32 vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut: Kjo tokë është vendlindja jonë!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka uruar të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut me rastin e 32 vjetorit të pavarësisë së shtetit.

Ahmeti në urimin e tij në Facebook shkruan se në këto vite shtetësi, çdo proces i rëndësishëm për vendin u arrit nga vullneti i mirë i të gjithë popujve që jetojnë në Maqedoni, që gjithmonë ditën të zgjedhin rrugën drejt paqes, stablitetit dhe progresit.

Statusi i plotë:

Të nderuar qytetarë

Sot vendi ynë shënon 32 vjetorin e pavarësisë, një rrugëtim i gjatë sfidash të tejkaluara me sukses falë vendosshmërisë sonë për të hapëruar drejt përparimit.

Çdo e arritur e këtij vendi ka vulën e kontributit të të gjithë popujve që jetojnë e veprojnë këtu me të njejtat aspirata progresive.

Liri, barazi, paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, bashkëpunim ndërfqinjëor, partneritet properëndimor, NATO dhe Bashkim Europian ishin kryefjala e kapitujve që i shkruam së bashku.

Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës dhe ajo e fqinjësisë së mirë janë bazamenti i progresit të shënuar përmes pajtimit dhe vetëdijësimit se vetëm bashkë mund të thyejmë çdo barrierë penguese.

Sot le të kujtojmë edhe të gjitha tendencat dezorientuese, stërkëmbëzat e vendosura dhe skepticizimin e shumë forcave regresive të mposhtur me vepra, për të mos lejuar stagnimin dhe vonesat e panevojshme tani në çastet vendimtare për të ardhmen tonë europiane.

Kjo tokë është vendlindja jonë, prandaj bashkë nën frymëzimin e të arriturave të deritanishme, le të vazhdojmë hapërimin drejt horizontit të Bashkimit Europian, aty ku e kemi vendin.

Gëzuar 8 Shtatorin – Ditën e Pavarësisë së vendit tonë!