Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinj në Kompleksin Memorial “Nëna Shqiptare” në Zajas, me rastin e 10 Qershorit – Ditës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmeti ka ndarë momente nga ky takim, duke vënë theksin te rëndësia e kujtesës kombëtare dhe roli i padiskutueshëm i rinisë në proceset shoqërore e shtetërore.
“Në një vend që simbolizon sakrificën, qëndresën dhe kujtesën tonë kombëtare, folëm për rrugëtimin e shqiptarëve, për sfidat e kohës sonë dhe për përgjegjësinë që ka çdo brez në ruajtjen dhe avancimin e vlerave për të cilat janë sakrifikuar gjenerata të tëra”, ka shkruar kreu i BDI-së.
Më tej, Ahmeti është shprehur i entuziazmuar nga pjesëmarrja masive dhe gatishmëria e treguar nga gjenerata e re për të marrë përgjegjësi mbi supe.
“Më gëzoi veçanërisht prania e madhe e të rinjve, energjia e tyre dhe gatishmëria për të kontribuar në proceset që prekin të ardhmen e popullit dhe shtetit tonë. Historia nuk ndërtohet vetëm nga ata që e shkruajnë, por edhe nga ata që e kuptojnë, e mbrojnë dhe e vazhdojnë atë. Rinia mbetet forca më e madhe e së ardhmes sonë”, përfundon postimi i Ahmetit. (INA)

