Ahmeti nga Dibra: Kam hyrë në politikë si kryengritës dhe nuk dal puthador
“Fronti Evropian” ka vazhduar aktivitetet parazgjedhore në qytetin e Dibrës, prej ku lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se nuk duhet të kthehemi në të kaluarën, për shkak të thirrjeve UÇK, sepse Ushtria Çlirimtare Kombëtare është skenari për shqiptarët, që e shpëtoi Maqedoninë. Vendi ynë duhet të jetë pjesë e BE-së, porositi Ahmeti, duke shtuar se të gjithë duhet të punojnë për realizimin e këtij qëllimi. Duke e komentuar deklaratën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, se Ahmeti i ka dërguar ndërmjetës që BDI-ja të jetë pjesë e Qeverisë, ai tha se në politikë ka hyrë si kryengritës dhe nuk del si puthadorë. Më 8 maj “Fronti Evropian” do t’i fitojë zgjedhjet dhe populli do të vendosë se kush do të jetë pjesë e Qeverisë, thekson Ahmeti.
“Kam hyrë në politikë si kryengritës dhe nuk dal puthador. Të merremi vesh, mua për 22 vite më ka votuar populli. Mua në politikë pas demobilizimit dhe konsultave që kam pasur me dy drejtues shqiptar, Arbër Xhaferin dhe Imer Imerin, të dy më kanë thënë hyn në politikë, bëje shtëpinë tënde dhe unë e bëra. Dhe tash unë kam bërë frontin bashkë me bashkëdrejtuesit që drejtojnë partitë politike shqiptare në vend këtu. Por, këtë front Kristian, e ka bërë më të pathyeshëm edhe kyçja e komuniteteve.”, – deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti njëherit theksoi se komunitetet që janë bërë pjesë e “Frontit Evropian” ishin lënë anash, që ju i nënçmoni dhe i përbuzni, si komunitetin turk, komuniteti boshnjak dhe komuniteti rom. Ahmeti njëherit theksoi se “Fronti Evropian” po përpiqet që këtë Kushtetutë ta bëjmë edhe më të afërt me qytetarët e Maqedonisë, duke i përfshirë edhe komunitetin bullgar, edhe komunitetin egjiptian, edhe komunitetin malazez, edhe atë kroat. Maqedoninë nuk e zhduki marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimi i statusit politik dhe juridik e shqiptarëve, tha Ahmeti, duke shtuar se në Kërçovë, në Gostivarë, në Vrapçishtë, në Çair, ku nuk janë 20%, gjuha turke është zyrtare me vendim të këshillave komunal.
Ky vullnet i yni vjen nga padrejtësitë historike që na janë bërë ne, pasi na kanë vrarë e burgosur, prandaj ne nuk duam të vuajnë të tjerët, por edhe ata duhet t’i gëzojnë të drejtat e tyre. Lojaliteti i shtetit imponon lojalitetin e qytetarit, theksoi Ahmeti para dibranëve, duke theksuar se nëse shteti nuk është lojal ndaj qytetarit, ai shtet dikur përmbyset. Me shpalljen e pavarësisë nuk ishin vendosur çështjet drejt, theksoi lideri i integristëve, duke shtuar se shqiptarët nuk e kanë dashur luftën, por ajo na u imponua, prandaj kur brohorasim UÇK në sheshin e Shkupit këtë e dëgjojnë edhe Nexhat Agolli e Jusuf Bageri, tha Ahmeti, duke kërkuar përkrahjen e qytetarëve për kandidatët e “Frontit Evropian” për deputetë në zgjedhjet e 8 majit.
Thaçi dhe Topalli kërkojnë votën e qytetarëve
Në kuadër të “Frontit Evropian”, kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, njëherit edhe kandidat për deputet në njësinë e gjashtë zgjedhore ka realizuar takim me banorët e Sllatinës, me të cilët ka bashkëbiseduar, duke dëgjuar kërkesat e qytetarëve të cilëve u ka shpalosur edhe programin e këtij koalicioni. Edhe kandidatja për deputete e “Frontit Evropian” nga zona e parë zgjedhore, Hatixhe Topalli, përmes një paraqitjeje publike ka ngritur shqetësimet me të cilat përballen qytetarët e komunës së Çairit, përfshirë këtu ndërtimet pa leje dhe çështjet pronësoro-juridike. Mbi 30 ndërtime të larta të ndërtesave në Çair janë ndërtuar jashtë ligjit dhe nuk kanë as fletë pronësie, as leje, tha Topalli.
Më tej ajo thotë se në Kuvend do të propozojnë Ligj për legalizim të objekteve. Sipas saj, qytetarët e Çairit nuk kanë as trotuare, as parking e as park për fëmijë. Besimin tonë e keqpërdorën në Çair, e keqpërdorën shumë dhe e sollën në gjendje të mjerueshme, tha Topalli, duke kërkuar votën e qytetarëve të Çairit për “Frontin Evropian” në zgjedhjet e 8 Majit.