Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, deklaroi gjatë një paraqitjeje në KohaCast se disponon informacione për iniciativa në Gjykatën Kushtetuese, të cilat synojnë rikthimin e çështjeve të Tribunalit të Hagës dhe ngritjen e një padie ndaj Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Sipas Ahmetit, një zhvillim i tillë nuk e frikëson, por rihapja e plagëve të vjetra shkakton më shumë dhimbje sesa krijimi i plagëve të reja. Ai theksoi se bëhet fjalë për çështje të mbyllura prej më shumë se 20 vitesh.
Duke u ndalur te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, Ahmeti tha se partitë shqiptare kanë mbajtur peshën kryesore në avancimin dhe promovimin e saj. Në të njëjtën kohë, ai kritikoi subjektet politike maqedonase, duke vlerësuar se nuk janë angazhuar mjaftueshëm për t’ua shpjeguar qytetarëve maqedonas rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.
Ahmeti kundërshtoi bindjen se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit nënkupton humbjen e shtetit nga maqedonasit. Sipas tij, nga ky dokument kanë përfituar njësoj si shqiptarët, ashtu edhe maqedonasit.
Ai veçoi miratimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve si një nga pengesat më të mëdha gjatë zbatimit të marrëveshjes, duke thënë se ky proces u përmbyll vetëm në vitet 2016-2017. Ahmeti e cilësoi Marrëveshjen e Ohrit si kompromisin historik që mbrojti karakterin multietnik të shtetit dhe parandaloi mundësinë e ndarjes territoriale të Maqedonisë.

