Grupi parlamentar i BDI-së do të mbështesë ndryshimet e ligjit për shkeljet, më i njohur si “Safe City”, i cili pritet të jetë në rendin e ditës të premten, ndërsa zbatimi i tij do të fillojë në fillim të shkurtit, shkruan TV24, transmeton tetova1

Koordinatore e grupit parlamentar, Rina Ajdari, sot nga qendra e shtypit e Kuvendit shprehu qëndrimin e integrativistëve, duke shtuar se ata presin që MPB të punojë mbi vërejtjet që kanë pasur për këtë ligj.

TV 24 kontaktoi edhe grupin parlamentar të LSDM-së, ku u tha se si opozitë konstruktive, gjithmonë janë të gatshëm të japin mbështetje për zgjidhje ligjore të mira, por mbeten në qëndrimin se duhet të diskutohet për pika të caktuara, siç janë gjobat e larta dhe çfarë do të ndodhë me sasinë e madhe të të dhënave, për të cilat LSDM kërkon garanci që nuk do të keqpërdoren nga qeveria aktuale.

“LSDM gjithmonë ka qenë parti konstruktive, dhe tani si opozitë konstruktive nuk kemi problem të japim mbështetje për zgjidhje ligjore të mira, por duhet të diskutohet seriozisht për disa aspekte të ligjit për shkeljet. Njëra është niveli i gjobave, dhe tjetra garancitë që qeveria nuk do të keqpërdorë sasinë e të dhënave që sistemi gjeneron.

Megjithatë, nga LSDM theksojnë se Kuvendi është vendi i duhur për të zhvilluar këtë debat, madje edhe nëse duhet të shtyhet zbatimi i ligjit për një muaj ose dy, nëse kjo është e nevojshme për të arritur një marrëveshje për zgjidhje më të mira ligjore.

Nga sot fillon testimi i kamerave të “Safe City”, njoftuan nga MPB, dhe do të zgjasë deri më 31 janar, çdo ditë nga ora 8:00 deri në 20:00.

Ligji për shkeljet ishte një nga temat e takimit të liderëve, ku lideri i LSDM-së, Filipçe, nuk mori pjesë, por më parë kishte theksuar se nuk ka problem që diskutimet për zgjidhje ligjore të rëndësishme të zhvillohen në Kuvend.

Liderë tjerë diskutuan edhe për tema të tjera, megjithëse lideri kryesor integrativist njoftoi një takim ballë për ballë me Mickoskin për çështjet e Badenterit dhe votimin për ligjin për qeverinë. Megjithatë, vendimi për “Safe City” nga integrativistët u mor para se të zhvillohej takimi ndërmjet Ahmetit dhe Mickoskit.

Për momentin nuk ka marrëveshje as për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, pasi integrativistët insistojnë për një emër të ri në vend të atij të propozuar./tetova1.mk

sqShqip