Etem Xheladini
Në ndërkohë, agonia në arsim jo vetëm që nuk është ndalur, por është thelluar. Ajo që një dekadë e gjysëm më parë ishte alarm, sot është realitet i dhimbshëm.
Qysh në vitin 2011, në gazetën Koha, kam paralajmëruar qartë. Politika po shkatërron arsimin. Duke e politizuar dhe partizuar deri në palcë, partitë politike janë shndërruar në “fabrika për punësim”. Gjithçka duhet të kalojë përmes filtrimeve politike. Nëse vazhdon praktika ku kuadrot e shkollave, fakulteteve dhe universiteteve nuk zgjidhen sipas meritave dhe cilësisë profesionale, atëherë e gjithë kjo do të na kthehet si boomerang, me pasoja të pariparueshme për gjeneratat e reja. Politika të distancohet urgjentisht nga arsimi.
Fatkeqësisht, ky paralajmërim nuk u mor seriozisht. Sot, arsimi është një nga sektorët më të kapur nga politika. Emërimet në çerdha, shkolla fillore, të mesme e fakultete dhe universitete shpesh nuk bëhen mbi bazën e dijes, përvojës apo integritetit profesional, por mbi përkatësinë partiake, bindjen politike dhe lojalitetin ndaj pushtetit të radhës. Arsimi është shndërruar në plaçkë elektorale, ndërsa institucionet arsimore në degë të heshtura të partive.
Pasojat janë të rënda dhe të dukshme:
– rënie e cilësisë së mësimdhënies,
– devalvim i diplomës,
– humbje e autoritetit të mësuesit dhe profesorit,
– demotivim i kuadrove të ndershme,
– dhe mbi të gjitha, gjenerata të reja të pambrojtura
intelektualisht.
Kur arsimi humb autonominë, shoqëria humb busullën. Një shtet që politizon arsimin, prodhon mediokritet, një shoqëri që pranon këtë, përgatit krizë afatgjate. Boomerangu për të cilin u paralajmërua në vitin 2011 është duke na u kthyer, dhe po godet rëndë.
Nëse politika nuk tërhiqet urgjentisht nga arsimi, nëse institucionet arsimore nuk çlirohen nga ndikimi partiak dhe nëse meritokracia nuk rikthehet si parim themelor, atëherë nuk do të kemi vetëm krizë arsimore, por krizë kombëtare. Arsimi nuk është pronë e partive, nuk është vend për militanta, nuk është zyrë punësimi për klientelë militantë politikë.
Arsimi është themeli i shtetit dhe i së ardhmes.
Nëse e shembim atë, nuk na mbetet as histori për të shkruar, as e vërtetë, as e rreme.
11.01.2026

