I dënuari në rastin e njohur si “Rasti Alfa”, Agim Islami, ka reaguar sërish përmes një postimi publik, duke rikujtuar se edhe kjo pranverë e gjen pas hekurave, në pritje të drejtësisë.
“Pranvera sjell shpresë dhe kënaqësi… shpresoj që këta përfaqësuesit tanë shqiptarë nuk do të lejojnë që edhe kjo verë të kalojë pa asnjë rezultat për çështjen e Rastit Alfa. Është pranvera e 18-të në burg, me besimin se drejtësia do të triumfojë një ditë”, ka shkruar Islami, përcjell INA.
Rasti “Alfa” lidhet me vrasjen e një pjesëtari të njësisë speciale policore “Alfa” në Shkup në vitin 2008, një ngjarje që shkaktoi reagime të shumta dhe tensione ndëretnike në atë kohë. Për këtë rast u arrestuan dhe më pas u dënuan disa shqiptarë, përfshirë edhe Agim Islamin.
Procesi gjyqësor u shoqërua me polemika të shumta, pasi avokatët me provat e tyre të reja theksojnë se rasti ishte i montuar dhe i bazuar në prova të pamjaftueshme. Avokatët mbrojtës kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për mënyrën e hetimit, duke theksuar mungesë të provave materiale bindëse dhe kundërthënie në dëshmitë e paraqitura.
Pavarësisht kërkesave për rishqyrtim dhe reagimeve të vazhdueshme nga organizata dhe aktivistë, dënimet kanë mbetur në fuqi, ndërsa rasti vazhdon të konsiderohet nga shumëkush si një nga proceset më të kontestuara gjyqësore në vend. Pikërisht për këtë rast në të njejtën mënyrë sikurse Agim Islami ishte dënuar edhe Rexhail Qerimi nga Opaja e Kumanovës, që vite më parë ndërroi jetë ne burg.
Pas 18 vitesh në burg, Agim Islami vazhdon të insistojë në pafajësinë e tij, duke kërkuar lirimin, rihapjen e rastit dhe një proces të drejtë gjyqësor.(INA)

