May 25, 2024
Maqedoni

Afrim Gashi me iniciativë, kërkon nënshkrimet e 120 deputetëve në përkrahje të Kosovës!

Kryetari i Alternativës Afrim Gashi ka filluar grumbullimin e nenshkrimeve të 120 deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në përkrahje të Kosovës.

“ Duke dashur të kontribuoj sado pak në fuqizimin diplomatik të shtetësisë së Kosovë, kam kërkuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që ta përkrahin nismën e Kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Ulët të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka ndërmarrë një nismë për mbështetje të interesit të palës kosovare në shtetndërtimin e saj. Letra, veç tjerash, thekson se ka një “mungesë presioni ndaj Serbisë” dhe “një dështim për të mbajtur përgjegjësinë” për sulmet ndaj forcës paqeruajtëse të KFOR-it, ndërsa u është adresuar emisarit të BE-së, të SHBA-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa është nënshkruar nga përfaqësues të lartë të politikës dhe diplomacisë në botë”, sqaron Gashi iniciativën e ndermarrë.

Në vazhdim u sjellim tekstin e plotë të kryetarit të Alternativës, lidhur me iniciativën në fjalë:

Në kohën e këtyre zhvillimeve dramatike në Kosovë, që nuk e kanë lënë indiferent asnjë qendër relevante botërore e të mos flasim për rajonin tonë, dëshiroj ta njoftoj opinionin edhe për iniciativën që e kam ndërmarrë në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Miqësisë Kosovë – Maqedoni e Veriut në kuadër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Duke dashur të kontribuoj sado pak në fuqizimin diplomatik të shtetësisë së Kosovë, kam kërkuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që ta përkrahin nismën e Kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Ulët të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, e cila ka ndërmarrë një nismë për mbështetje të interesit të palës kosovare në shtetndërtimin e saj. Letra, veç tjerash, thekson se ka një “mungesë presioni ndaj Serbisë” dhe “një dështim për të mbajtur përgjegjësinë” për sulmet ndaj forcës paqeruajtëse të KFOR-it, ndërsa u është adresuar emisarit të BE-së, të SHBA-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa është nënshkruar nga përfaqësues të lartë të politikës dhe diplomacisë në botë.

Si rezultat i këtij angazhimi, këtë letër e kanë nënshkruar këta deputetë:
1. Afrim Gashi – Alternativa
2. Safije Sadiki Shaini – Alternativa
3. Hysni Ismaili – Alternativa
4. Izet Mexhiti – Lëvizja Demokratike
5. Merita Koxhaxhiku – Lëvizja Demokratike
6. Kastriot Rexhepi – Lëvizja Demokratike
7. Skender Rexhepi – Lëvizja Populli
8. Beixhan Iljas – TDP (Partia Turke Demokratike)
9. Fadil Zendeli – Lëvizja BESA
10. Menduh Thaçi – PDSH (Partia Demokratike Shqiptare)
11. Muhamed Kadriov – LSDM (Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë)

Përveç thirrjes zyrtare, po e shfrytëzoj edhe mundësinë e thirrjes publike që edhe deputetët e tjerë, pavarësisht proveniencës politike dhe përkatësisë etnike, ta nënshkruajnë këtë iniciativë mbi të gjitha qëllimmirë, që – pos tjerash – është në funksion të paqes dhe stabilitetit në regjion.