Afrim Gashi: Alternativa nuk është gur i vogël dhe nuk është lehtë për ta thyer
Kryetari i Alternativës në emisionin 200 në Alsat, tha se e vetmja mënyrë për ta shpëtuar një parti politike, apo një politikan ka qenë të hiqet Alternativa dhe sipas tij, në matematikat e kryeministrit, ajo ka rezultuar ashtu dhe i kanë hyrë këtij procesit.
“Por Alternativa nuk është guri i vogël dhe nuk është lehtë për ta thyer dhe jo aq lehtë për ta lëvizur. Mendoj se koha do ta dëshmojë se ky ka qenë veprim i gabuar edhe për LSDM-në, edhe për BDI-në edhe për Qeverinë, edhe për proceset e përgjithshme evropiane sidomos për shkak se me këtë veprim është thyer dhe po vritet ëndrra evropiane”, tha Gashi.
Ai tha se ata janë të lumtur me faktin që vendimi të cilin e kanë marrë për të hyrë në Qeveri, ka rezultuar me hapjen e negociatave.
Gashi për rikonstruimin e Qeverisë: Shpëtimi i karrierës së një politikani është arsyeja për gjitha këto lëvizje
Kryetari i partisë, Alternativa, Afrim Gashi në emisionin 200 në Alsat, duke komentuar deklaratat e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, se dera e Qeverisë për Alternativën është e hapur, tha se kjo deklaratë e tij mund të kufizohet si tallje.
“Është e qartë nuk mund të mbetet dera e hapur kur e keni mbyllur derën dhe e keni thyer marrëveshjen brutalisht. Fakti që nuk ekziston marrëveshja që e kemi nënshkruar vitin e kaluar, dhe ata nuk duan ta dinë fare për atë marrëveshje, dhe ky ka qenë momenti kur neve na është treguar dera”, tha Afrim Gashi.
Gashi tha se procesi për përfshirjen e ASH-së në Qeveri ka qenë shumë i mbyllur ku janë përfshirë tre katër persona.
Ai shtoi se marrëveshja qe kanë pasur me LSDM-në, është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga kryeministri dhe çfarëdo oferte tjetër që ka qenë nuk ka qenë serioze.
“Në momentet kur kemi hyrë në Qeveri, edhe kryeministri Kovaçevski edhe Zaev e kanë ditur se ne diskutojmë për tre deputetë dhe një deputet vet është dakorduar me kryeministrin. Pra ajo pako dhe marrëveshje është nënshkruar për tre deputetë”, deklaroi Gashi, duke shtuar se arsyeja për këtë vendim ka qenë e shtyrë për të shpëtuar karrierën e ndonjë politikani.
Gashi: Askush nuk mund vendos një pikë të zezë mbi punën e funksionarëve tonë, dëshmuam se një parti shqiptare mund të jetë në shërbim të qytetarëve
Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, tha se qeverisja e tyre ka qenë e dinjitetshme, iu kanë shërbyer gjithë qytetarëve pa asnjë aferë korruptive.
“Natyrisht çdo njeri mund të gabon, nuk po them se jemi perfekt, por sot, askush nuk mund vendos një pikë të zezë mbi funksionarët tanë. Prandaj unë i falënderova edhe në Kuvend qendror edhe në konferencën edhe tani e shfrytëzoj mundësinë që të them se dinjitetshëm kemi udhëheq, kemi dëshmuar se një parti shqiptare mund të udhëheq edhe profesionalisht mirë dhe të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në fund vendimin për daljen në opozitë e kemi marrë të gjithë së bashku në atmosferë pozitive, me buzëqeshje, me ambient pozitiv duke qenë të bindur se çdokush kush është munduar ta lëviz Alternativën dhe ta qojë diku ku nuk duhet, Alternativa është kthyer çdoherë më e fuqishme”, tha Afrim Gashi në emisionin 200 në Alsat.