May 11, 2024
Maqedoni

Sveçla për protestën e NJSI-së: Të ardhurat mujore i kanë mbi 2.200 euro

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur lidhur me protestën e Njësisë Speciale të Kosovës sot, të cilët kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa të rrezikshmërisë më të larta.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro.

Ka shtuar se ka qenë gjithmonë synim i tyre përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre.

“Teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, ka thënë ai.

Ai ka shkruar se Kosova është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë, duke shtuar se Republika është e themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz.

“Kërkesat janë të shumta dhe ka kategori shoqërore të cilat kanë shumë vështirësi përgjatë jetesës së tyre. Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë. Me marrjen e mandatit, pjesëtarët e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës i kemi gjetur pa uniforma, pa pajisje mbrojtëse për jetën e tyre, pa kushte të punës e me ushqim të mangët e jo cilësor”, thuhet në reagimin e Sveçlës.

Ai ka thënë se nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, ka pasur rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%.

“Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro. Angazhimi ynë për shtet dhe forcim të tij do të jetë i pakursyer dhe i pandalshëm me të gjithë ata të cilët përkundër sfidave e kanë vullnetin. Unë falënderoj edhe njëherë të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme e veçanërisht të Policisë së Kosovës për angazhimin dhe sakrificën drejt një shteti të drejtë dhe prosperues”, ka thënë ai.