A po del në horizont një skandal i ri me përgjimet e paligjshme? Kryeministri Mickoski pretendon se personalisht ai, si edhe funksionarë të lartë, biznesmenë e gazetarë, kanë qenë objekt i abuzimit me sistemin gjatë viteve të fundit. Ata, sipas tij, janë ndjekur dhe përgjuar në periudhën kur ai ishte kryetar i opozitës VMRO-DPMNE, jo vetëm nga ASK, por edhe nga Agjencia e Inteligjencës.

“Shteti ynë po përballet me një skandal të ri – përgjime të paligjshme dhe abuzimin masiv të sistemit gjatë disa viteve të fundit. Ky nuk është vetëm sulm ndaj meje, por ndaj demokracisë, ndaj lirisë dhe themeleve të shtetit. Dua të dërgoj mesazh: nuk do të ketë drejtësi selektive, do të ketë përgjegjësi, do të ketë epilog ligjor. Populli ka qenë shumë gjatë viktimë e abuzimeve, e skemave korruptive dhe e qendrave të fshehta të pushtetit. Koha e të paprekshmëve ka mbaruar”, tha Mickoski.

Ish-drejtori i ASK, Viktor Dimovski, reagoi ndaj këtyre akuzave, duke thënë se Mickoski nuk ka qenë kurrë objekt i masave operative-teknike. Ai kërkoi që dokumentet për abuzimet e supozuara të deklasifikohen menjëherë, veçanërisht ato që lidhen me liderin e atëhershëm të opozitës.

“Publiku maqedonas ka të drejtë të dijë kush i ka propozuar, kush i ka kërkuar, kush i ka miratuar dhe kush i ka ekzekutuar përgjimet e supozuara. Pres që kësaj radhe të mos ketë fshehje pas justifikimeve të tipit ‘informacione të klasifikuara me shkallë sekreti shtetëror’, sidomos pas disa publikimeve të fundit në disa ‘media të informuara’ që publikojnë emra konkretë të personave që gjoja kanë qenë target i Agjencisë, përfshirë edhe të dhëna për identitetin e të punësuarve dhe bashkëpunëtorëve të fshehtë”, tha Dimovski.

Edhe kryetari i LSDM, Venko Filipçe, deklaroi se informacionet duhet të deklasifikohen dhe faktet të paraqiten në mënyrë objektive, dhe nëse është e nevojshme, të hapet hetim.

“Në periudhën e kaluar kemi parë shumë skandale të shpallura me bujë nga portale të caktuara dhe nga foltorja e VMRO-DPMNE, por që nuk kanë pasur epilog. Të ju kujtoj: u tha për një ryshfet të kryeministrit, më pas se ishte ndjekur me dronë, se do të ketë destabilizim, dhe tani del me ndonjë ndjekje tjetër. Të deklasifikohen informacionet që të shohim të vërtetën, në mënyrë që të mos ketë gjueti shtrigash dhe manipulime. Qytetarët dhe publiku e meritojnë këtë”, tha Filipçe.

Burime të portalit Lideri.mk bëjnë të ditur se në këtë rast ka të implikuar edhe “agjentë” shqiptarë të punësuar në ASK dhe AZ, por për shkaqe objektive nuk mund të bëjnë të ditur identitetin e tyre.

“Të punësuarit vetëm kanë zbatuar urdhërat e kompetentëve të tyre”, thonë këto burime, pa bë të ditur nëse në mesin e “kompetentëve” që kanë dhënë urdhëra për përgjime/përcjellje ka edhe shqiptarë.

Ndërkohë edhe PlusInfo shkruan se të punësuarit në agjencitë e policisë sekrete kanë pranuar se kanë bë “shënime” të rrejshme për persona të caktuar, por se këtë e kan bë nën presion të kompetentëve.

Mickoski edhe në tetor 2024, fillimisht në një seancë parlamentare, e më pas edhe në një briefing me gazetarë, kishte thënë se kur ishin në opozitë, atë dhe familjen e tij i kishte ndjekur pushteti i atëhershëm i LSDM dhe BDI me dronë.

sqShqip