Kështu mund të sublimohet deklarata e Abdixhikut i cili në një prononcim doli me dy qëndrime të ndryshme. Fillimisht tha: “Ne nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit”, e pastaj: “Ne nuk kemi thënë asnjëherë që kemi apo nuk kemi votë për Vjosa Osmani”.

—————

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ku kanë folur për çështjen e presidentit, ka thënë se nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt, e sidomos ndaj presidentes aktuale Vjosa Osmani.

Ka shtuar se aktualisht nuk u është propozuar asnjë emër për të cilin u janë kërkuar nënshkrimet.

“Ne nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit”, ka thënë ai.

Tutje ka deklaruar se e sheh shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik në këtë moment brenda partive politike shqiptare, duke shtuar se nuk ka ndonjë kandidat specifik i cili u është prezantuar.

Ka shtuar se herën e kaluar në takim me Kurtin, në tavolinë kanë pasur imponim, për çka thotë se e kanë hequr nga tavolina.

“Më pas ka qenë marrëveshja politike dhe konsensusi. Kurti ka kërkuar 85 vota, pra nuk pas parakushte e as diskutime për marrëveshje politike. Le ta provojnë garën, por LDK-ja sugjeron që ta provojnë konsensusin para garës. Ne nuk kemi thënë asnjëherë që kemi apo nuk kemi votë për Vjosa Osmani”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se nuk u është propozuar asnjë emër për të cilin u janë kërkuar nënshkrimet.

Ka paralajmëruar se do t’i kthehet grupit parlamentar të LDK-së për të raportuar lidhur me diskutimet.

“E shoh të vështirë konsensusin, nuk ka ndonjë emër që na është prezantuar, e as nuk na është kërkuar vota për ndonjë emër specifik. LDK-ja me 15 deputetë nuk mund të caktojë emër e as të nominojë dikë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka shtuar se do duhej të kishte unitet popullor lidhur me këtë çështje.

Ai ka thënë se për garë nuk beson që ka zgjidhje dhe sipas tij nëse PDK-ja dhe VV-ja vendosin për garë atëherë shkohet në zgjedhje.