May 4, 2024
Maqedoni

AAA-ASH: Gropat në Dyqanxhik e rrezikojnë jetën e fëmijëve (Video)

Reagim i koalicionit Alternativa – Aleanca për Shqiptarët

Para 15 ditëve Kryetari i Komunës së
Çairit, Visar Ganiu, bashkë me drejtorin e kësaj shkolle e përuruan
sallën e re të sportit në lagjen Duqanxhik. Por, kanë kaluar disa ditë,
ndërsa punimet nuk kanë filluar dhe as nuk kemi informatë se kur do të
fillojnë dhe sa do të zgjasin.

Prandaj derisa ata të vijnë ta bëjnë foton e radhës këtu, ne duam të
tërheqim vërejtjen se kjo hapësirë përmban një rrezikshmëri të lartë për
fëmijët e kësaj lagjeje, sepse në hyrje të saj nuk kemi asnjë shenjë e
cila paralajmëron se “këtu ka punime”. Ndërkaq, brenda hapësirës në të
cilën do të ndërtohet salla kemi gropa të mëdha, të cilat nuk janë të
izoluara. E meqë ky vend ka qenë i frekuentuar shumë nga fëmijët e kësaj
lagjeje, ne konstatojmë se këta fëmijë e kanë jetën në rrezik të lartë,
kjo edhe për shkak të mungesës së shenjave përkatëse të trafikut. Kjo na
bën të konkludojmë se përurimi i sallës ka qenë për pikë politike para
fillimit të fushatës dhe asgjë më shumë.

Sidoqoftë, i bëjmë thirrje kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu,
që t’i ndalojë këto aventura dhe eksperimente para fushatës. Në të
vërtetë, kjo hapësirë e Dyqanxhikut i ka dy opsione: të fillojnë punimet
sa më shpejt ose të vendosen shenja përkatëse se “këtu punohet”.
Të mos të presim të na ndodhin tragjedi, që pastaj të qajmë të gjithë.