A po operojnë “Tigrat” në rrugët e Shkupit pa dijeni të MPB-së? (Video)
Ekipi i Klan hasi ekipe të dyshimta mbrëmë në rrugët e Shkupit
Gjatë kohës së regjimit të Gruevskit, njësiti “Alfa” ishte ai që ndjellte frikë nëpër rrugët e Shkupit.
E muajin e fundit, “Alfat” u zëvendësuan me njësitin “Tigrat”.
Personi nga Shkupi është viktima e radhës e dhunës fizike që po ndodh nëpër rrugët e Shkupit.
Para dy netëve, personi me iniciale B.S, është ndalur para Gjykatës themelore të Shkupit, është legjitimuar e më pas, pa asnjë shpjegim ka filluar rrahja.
Ai ka përfunduar në spital e sipas burimeve të Klan brenda qendrës klinike “Nënë Tereza”, pacienti ka lëndime në kokë, gjoks, në bërrylin e majtë, tek këmbët, qafa dhe gjakderdhje në veshë.
Dy javë më parë, nga MPB mohuan se ky njësit operon në Shkup. E sot dërguam sërish pyetje deri tek organi i rendit, por deri më tani, nuk ka përgjigje.
Ekipi i Klan Maqedoni, mbrëmë vonë doli në terren dhe hasi në dy vetura dhe një furgon pa tabela, i cili patrullonte nëpër rrugët e Shkupit.
U prezantuam si ekip televiziv dhe kërkuam që pjesëtarët e policisë të identifikohen sipas ligjit dhe të tregojnë se cilit njësit i përkasin. Por ato refuzuan dhe na thanë ta shohim punën tonë, e më pas u larguan.
Polici: Ne nuk kemi lidhje me ta, ata janë tjerë.
Gazetari: Domethënë kuptohemi. Ajo është, shumë e thjeshtë.
Ekipi i Klan arriti që ti fotografojë veturat që patrullonin.
E regjistrimet në veturat që patrullonin, nuk korrespondonin me llojin e veturave. Për shembull, vetura Land Rover, ishte me regjistrim që i përket veturë të tipit Fiat.
Sipas burimeve të Klan, një polic ka paraqitur rast në kontrollin e brendshëm se më 15 janar ka qenë i keqtrajtuar në një lokal në Shkup nga pjesëtarë të njësitit “Tigrat”./KlanMacedonia
Përgatiti: Furkan Saliu