Shkruan: Etem Xheladini
Në çdo shoqëri të civilizuar, akademitë dhe institucionet shkencore janë konsideruar si shtylla të së vërtetës, mbrojtëse të kujtesës historike dhe bartëse të identitetit kulturor të një kombi. Mirëpo, në Maqedoninë e Veriut, duket se ky funksion ka devijuar në mënyrë serioze. Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë së Veriut (e njohur si MANU) prej vitesh vepron më shumë si një mjet politik i ndërtimit të identitetit të rremë shtetëror sesa si një institucion serioz shkencor.
Që nga pavarësimi i këtij shteti e deri më sot, janë bërë përpjekje të shumta për të ndërtuar një identitet “maqedonas” që rrënjoset në një të kaluar të sajuar, duke përvetësuar elementë nga trashëgimia helene, bullgare, serbe dhe, në disa raste, edhe shqiptare. Kjo përpjekje për të krijuar një “identitet të ri kombëtar”, shpesh është bazuar më shumë në mitologji politike sesa në analiza objektive historike. Fatkeqësisht, këtë proces e ka udhëhequr pikërisht institucioni që duhej të kishte ruajtur integritetin shkencor të vendit, MANU. Ky institucion ka prodhuar dhe miratuar tekste, enciklopedi dhe qëndrime të cilat jo vetëm që mohojnë realitetet historike, por ofendojnë dhe shtrembërojnë të vërtetat mbi popujt fqinjë, sidomos mbi shqiptarët. Kujtojmë këtu Enciklopedinë e Maqedonisë (2009), e cila përshkruante shqiptarët si “pushtues” dhe “element të padëshiruar”, duke shkaktuar reagime të ashpra brenda dhe jashtë vendit. Ky nuk ishte një rast i izoluar, por vetëm një ndër shfaqjet më të dukshme të një mentaliteti që dominon këtë akademi.
Ironikisht, ndërsa vetë Bashkimi Evropian dhe disa vende anëtare, veçanërisht Bullgaria, kanë kontestuar prejardhjen historike dhe gjuhësore të “maqedonasve”, duke kërkuar rishikim të rrëfimeve zyrtare përpara integrimit, vetëm shqiptarët brenda Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të sillen sikur këto falsifikime nuk ekzistojnë.
Shqiptarët, që përbëjnë mbi një të treta e popullsisë së shtetit, janë të vetmit që i japin legjitimitet politik, kulturor dhe institucional këtij aparati shtetëror që në themel nuk e njeh, e shpesh e mohon, ekzistencën e tyre si popull autokton dhe faktor shtetformues. Të tjerët e sfidojnë identitetin maqedonas në tryezat diplomatike; shqiptarët e mbrojnë me heshtje apo me konformizëm.
Duhet ta themi troç: ndërtimi i identitetit maqedonas është bërë mbi kurrizin e të tjerëve. Dhe kjo nuk është faji i qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, por i elitave politike dhe “akademike” që kanë manipuluar historinë për qëllime të veta. Për të krijuar një identitet të ri, ata kanë fshirë ose shtrembëruar identitetet e vjetra. Kjo është një formë moderne e kolonializmit kulturor.
Për më tepër, një akademi që falsifikon historinë nuk mund të ketë kredibilitet në fushën e shkencës. Nuk mund të prodhojë dije të vlefshme për brezat e ardhshëm. Nuk mund të jetë as partner në botën akademike ndërkombëtare. Prandaj, pyetja që shtrohet me të drejtë është: a mund ta quajmë “Akademi” një institucion që nuk ka as etikë, as objektivitet shkencor, as respekt për të vërtetën?
Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kjo është më shumë se një çështje shkencore apo historike.
Është çështje dinjiteti.
Çështje identiteti.
Çështje e drejtës për të mos u fshirë nga faqet e historisë nga një “akademi” që s’ka as legjitimitet moral, as profesional.
Nëse shqiptarët vazhdojnë të mbështesin, qoftë edhe me heshtje, një institucion që ndërtuan mitin e vet mbi mohimin e tjerëve, atëherë nuk kanë të drejtë të ankohen për trajtim të pabarabartë. Ka ardhur koha që ne të mos jemi më pjesë e lojës së tyre.
Duhet ta themi qartë: falsifikimi nuk është shkencë. Mashtrimi nuk është identitet.
Dhe MANU, në këtë formë, nuk është akademi.