Shkruan: Etem Xheladini
Kjo është një pyetje që nuk mund të trajtohet sipërfaqësisht, sepse prek një prej çështjeve më të ndjeshme të shoqërisë: raportin midis dijes dhe vlerave, midis meritokracisë së dikurshme dhe realitetit të sotëm të deformuar. Në hapësirën shqiptare, për dekada të tëra, intelektualët, sidomos mësuesit, ishin gurthemeli i emancipimit kombëtar. Ata ishin simbol i dinjitetit, i moralit të pastër dhe i përkushtimit ndaj dijes. Shtëpitë tona i pritnin me nder, fëmijët i shikonin me respekt, dhe prindërit i përmendnin si shembull për t’u ndjekur.
Por sot, panorama shoqërore është e zhvendosur nga boshti. Roli i intelektualit ka humbur peshë, vlerë dhe autoritet. Pse ndodhi kjo?
Intelektuali i djeshëm: simboli i autoritetit moral dhe akademik, me theks të veçant mësuesit e parë, profesorët dhe profesionistët e arsimuar të brezave të kaluar nuk kishin vetëm rol edukativ, ata ishin bartës të identitetit kombëtar, nxitës të emancipimit, dhe modele të padiskutueshme të suksesit.
Ata mbanin me dinjitet: misionin e dijes,ndershmërinë personale, përgjegjësinë shoqërore, pastërtinë morale. Veshja e tyre e rregullt, sjellja e matur, autoriteti natyror dhe qasja e tyre ndaj dijes e bënin figurën e intelektualit një ideal të pashoq. Pikërisht këta njerëz krijuan motivin që brezat para nesh dhe brezi ynë të investonin në arsim, me bindjen se shkolla ishte porta drejt një jete të sigurt e dinjitoze.
Shkëputja pas viteve 2000/2001, kur modeli u thye, motivimi ra!
Sot, brezi pas nesh dhe sidomos të rinjtë e sotëm nuk e ndjejnë më atë frymë frymëzuese që dikur vinte nga intelektuali. Përse? Sepse statusi shoqëror i njeriut të arsimuar është zbehur në mënyrë dramatike. Mësuesit, profesorët, mjekët, inxhinierët, arkitektët, profesionet që mbajnë mbi supe civilizimin, nuk gëzojnë më respektin dhe prestigjin që meriton puna e tyre. Shpesh ata përballen me: pagë të ulët, mungesë të mbështetjes institucionale, arkitekturë të dobët sociale, kushte të pafavorshm, profesionale, presion psikologjik e ekonomik. Janë këto rrethana që kanë prodhuar një krizë të pranueshme të vlerësimit.
Shfaqja e “elitave të rreme”: modeli rrezikshëm që deformon të rinjtë! Një faktor i rëndë dhe i pashmangshëm është dalja në skenë e një lloj “elite” të re, të cilën mund ta quajmë pa drojë elitë joshkollore ose pseudo-intelektuale. Ata janë njerëz që, megjithëse pa kontribut të vërtetë, pa dija të thelluara dhe pa integritet, arrijnë pozita të larta: falë lidhjeve politike, korrupsionit, manipulimit, shfrytëzimit të hapësirave të ligjit dhe moralit publik, apo përmes rrugës, kriminale. Këta individë shpesh vishen me kostum intelektual, por nuk e mbajnë peshën morale të tij. Dhe pikërisht këtu nis drama e brezit të ri: të rinjtë nuk motivohen më nga figura e mësuesit që punon me pasion, por nga individët që jetojnë në luks pa meritë. Ekonomia e iluzioneve: kur luksin e bëjnë jo dijetarët, por devijantët!
Të rinjtë sot rriten në një realitet ku: veturat e shtrenjta, festat e bujshme, pasuria e shpejtë, veshjet luksoze, jetëshkrimet e rreme, suksesi i papunës së dukshme, shfaqen çdo ditë para tyre, duke u bërë magnet për mendjen e paformësuar. Në këtë klimë,intelektuali që jeton me kredi dhe borxhe, apo profesori që mundohet të mbulojë shpenzimet mujore, nuk mund të konkurrojë me iluzionin e pasurisë së shpejtë dhe të pamerituar. Kjo krijon një sistem vlerash të përmbysur, ku dijetarët nuk janë më në krye të piramidës, por shpesh në fund të saj.
Përgjegjësia e institucioneve: kur shteti nuk mbron elitën e dijes. Në një shoqëri funksionale, shteti është i pari që e mbron dhe e nderon intelektualin.
Por në realitetin tonë, shumë institucione nuk e njohin rolin strategjik të profesionistëve të dijes. Kjo mungesë e vlerësimit institucional: ul moralin e profesionistëve, krijon hendek midis brezave, dhe e lë shoqërinë pa busull orientuese. Pa një elitë të fortë intelektuale, vendet bien nën ndikimin e populizmit të ulët, korrupsionit, dhe imitimit të modeleve pa vlera. Ku gabojnë edhe vetë intelektualët?
Edhe brenda vetë popullatës intelektuali ka përgjegjësi. Jo të gjithë intelektualët kanë arritur ta ruajnë autoritetin e dikurshëm. Disa janë të tërhequr, të heshtur, të dorëzuar ndaj sistemit, dhe nuk kanë arritur të krijojnë një kulturë të fortë publike për: mbrojtjen e vlerës së dijes, mbrojtjen e meritokracisë, ngritjen e standardeve profesionale, ndërtimin e komuniteteve akademike aktive, krijimin e frymëzimit kulturor. Pra, kriza nuk vjen vetëm nga jashtë; vjen edhe nga mungesa e solidaritetit dhe guximit brenda vetë elitës së dijes. Çfarë duhet bërë?
Rruga e daljes nga kriza e motivimit, nëse duam të rikthejmë dijen si vlerë kombëtare, duhet:
a) Të mbrojmë mësuesin dhe profesionistin e dijes
Përmes pagave të dinjitetshme, kushteve të mira
të punës, dhe prestigjit institucional.
b) Të vendosim meritokracinë, të ndërtojmë sistem
ku avancimi bëhet sipas punës, jo lidhjeve.
c) Të luftojmë pseudo-intelektualizmin të ndalojmë
përdorimin e titujve, pozitave dhe rolit publik nga
individë pa kontribut real.
d) Të krijojmë modele të dukshme për të rinjtë;
pëtmes mediave, universiteteve, institucioneve
kulturore.
e) Të formojmë një kulturë të re të respektit për dijen,
pa të cilën shoqëria rrezikon të mbetet në periferi
të zhvillimit.
Për fund: Koha për të ringritur kultin e dijes dhe nëse brezi i ri nuk frymëzohet nga intelektuali, atëherë drejtimi i shoqërisë është seriozisht i rrezikuar.
Një shoqëri ku vlerësohet pasuria e shpejtë, e paligjshme dhe e pamerituar, ndërsa dijetari lihet në harresë, është një shoqëri që ecën drejt humnerës kulturore dhe morale.
Rikthimi i rolit të intelektualit nuk është luks, është domosdoshmëri. Është koha të ndërtojmë kulturën e re të dijes, të vendosim në krye të piramidës njerëzit e ndershëm,profesionistët, shkencëtarët, mësuesit, mjekët, inxhinierët, ata që e ndërtojnë jetën me mund, jo me mashtrim. Vetëm atëherë, të rinjtë shqiptarë do t’i rikthehen rrugës së dijes, duke e parë te intelektuali jo një figurë të dorës së dytë, por një busull të sigurt për të ardhmen.

