Etem Xheladini

Koha të ringjallim kulturën e librit në shkolla, qytete dhe fshatra

Në një kohë ku teknologjia ka depërtuar në çdo qelizë të jetës sonë, pyetja që duhet ta shtrojmë seriozisht është kjo: Sa hapësira leximi kemi sot në institucionet tona arsimore, në bibliotekat e qytetit dhe të fshatrave, dhe a po bëhet mjaftueshëm për t’i afruar të rinjtë me librin?
Në shumë shkolla, bibliotekat janë të varfra, shpesh me tituj të vjetruar dhe të pazhvilluar. Nëpër fshatra, shumica e bibliotekave janë mbyllur, boshatisur ose shndërruar në hapësira të tjera. Edhe në qytete, biblioteka që dikur ishin qendra kulturore sot funksionojnë me kapacitete minimale, shpesh pa staf të mjaftueshëm e pa investime. Ky realitet ku ka pasoja të drejtpërdrejta: rinia po humbet lidhjen me librin. Tre profile lexuesish kemi, e një kategori që rrezikon shoqërinë!
Tradicionalisht, njerëzit mund t’i ndajmë në tri kategori që lidhen me librin dhe dijen:
1. Ata që vetëm lexojnë, pa reflektim të thellë.
2. Ata që lexojnë dhe mendojnë, duke e shndërruar
tekstin në analizë.
3. Ata që lexojnë, mendojnë, veprojnë dhe e
praktikojnë dijen, kategoria më e çmuar dhe më e
rrallë.
Por ekziston edhe një kategori e katërt, fatkeqësisht shumë e madhe: njerëzit që nuk lexojnë fare, por shtiren sikur dinë gjithçka. Shpesh i shohim duke bërë moral, duke dhënë këshilla të kota, madje edhe duke thënë absurditete të tilla si: “Mos lexoni shumë se bëheni budalla!” Kjo kategori, që ngre veten mbi dijen pa pasur dije, është fatkeqësi për shoqërinë. Ata shpërndajnë padituri dhe frenojnë zhvillimin kulturor.
Një shoqëri që i dorëzohet telefonit e humbet aftësinë për të menduar thellë!
Sot, telefonat mobilë janë bërë “libri i vetëm” i fëmijëve i rinisë. Rrjetet sociale dhe videot e shkurtra konsumojnë orë të tëra që dikur shpenzoheshin me libra, me studim, me reflektim dhe me kreativitet.
Fenomeni i “scroll-it pa fund” ka zëvendësuar leximin e një faqeje. Drita blu ka zëvendësuar faqet e letrës.
Shpërqendrimi ka zëvendësuar përqendrimin. Dhe sa më pak të lexuar të bëhemi, aq më lehtë manipulohemi. Leximi nuk është luks, është domosdoshmëri shoqërore. Shkollat dhe komunat duhet të veprojnë, është koha të hapen sa më shumë leximore. Për të rikthyer kulturën e leximit, nuk mjaftojnë fjalët dhe fushatat. Duhet punë konkrete dhe investime të prekshme:
– Hapja dhe modernizimi i leximoreve brenda
shkollave.
– Pajisja e bibliotekave me tituj të rinj bashkëkohorë.
– Rihapja e bibliotekave në fshatra, aty ku librat
shpesh mungojnë më së shumti.
– Krijimi i klubeve të leximit për fëmijët dhe të rinjtë.
– Trajnime për bibliotekarët, që të shndërrohen në
mentorë dhe jo vetëm ruajtës librash.
– Organizimi i festivaleve të librit, orëve të leximit,
konkurseve letrare dhe aktiviteteve që e bëjnë librin
të dukshëm dhe të gjallë.
Një shoqëri që investon në lexim është shoqëri që investon në të ardhmen. Ndërsa një shoqëri që ia kthen shpinën librit, i kthen shpinën vetes.
Libri nuk zëvendësohet me teknologji, ai është ura që lidh mendjen me botën. Teknologjia është mjet, por nuk është zëvendësim. Ajo mund të informojë, por rrallë arrin të edukojë. Mund të japë të dhëna, por nuk formon karakter. Libri, përkundrazi:
– ndërton mendje,
– zhvillon zgjuarsi,
– hap horizonte,
– formon personalitet,
– dhe krijon njerëz që
mendojnë në mënyrë të pavarur.
Asnjë pajisje moderne nuk mund ta zëvendësojë këtë fuqi. Koha të kthehemi te libri, para se të jetë vonë!
Nëse duam një brez të ditur, kritik, të pjekur dhe të aftë për të ndryshuar shoqërinë, duhet të krijojmë kushtet për lexim. Duhet të investojmë në biblioteka, leximore, libra dhe kulturë. Sepse leximi nuk është vetëm aktivitet. Nuk është vetëm hobi. Nuk është vetëm informacion. Leximi është themeli i zhvillimit të një njeriu dhe i një kombi. Dhe nëse nuk veprojmë sot, rrezikojmë të humbasim një brez të tërë në rrjetet sociale, një brez që do të mund të ishte i ditur, po ta kishim afruar me librin.

sqShqip