A e çoi vendimi i tij prapa grillave Zeqirin? – Bytyqi kundërpërgjigjet
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi vlerëson se akuza e ish sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zeqiri se marrëveshja për konsulencë pa prokurim publik është bërë mbi bazën e vendimit të Bytyqit, nuk mbanë dhe nuk është e vërtetë.
Sipas tij, Qeveria në asnjë vendim nuk rekomandon mënyrën e zbatimit të detyrimit por këtë e shqyrtojnë shërbimet juridike të kualifikuara për zbatimin e procedurave në përputhje me ligjin.
“Si të gjitha konstatimet dhe detyrimet të cilat i sjell Qeveria, ministritë dhe shërbimet duhet t’i zbatojnë. Në asnjë detyrim nuk rekomandohet apo theksohet procedura dhe mënyra se si duhet zbatuar. I tillë është rasti me masat anti-krizë dhe secila ministri vjen me propozimet e tyre ligjore dhe mënyrën e zbatimit të masave”, theksoi Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.
I pyetur nëse për procedurën në fjalë ka pasur vërejtje nga Sekretariati për legjislacion apo edhe nëse në vendimin e Qeverisë është theksuar në mënyrë konkrete si duhet të ndiqet procedura, Bytyqi përsëriti se shërbimet adekuate në Qeveri duhet të punojnë në përputhje me dispozitat ligjore, pasi Qeveria nuk definon dhe precizon zbatimin e procedurave.
“Nuk ka asnjëherë, askund dhe në asnjë konstatim rekomandime se si duhet zbatuar i njëjti. Shërbimet adekuate e dinë se si duhet zbatuar në përputhje me dispozitat ligjore. Qeveria punon në bazë të rregullores dhe Ligjit për Qeveri”, tha Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.
Ditë më parë ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Muhamed Zekiri u dënua me dy vjet e gjysmë burg për mos zbatimin e prokurimit publik, konkretisht për lidhjen e marrëveshjes në katër sy me një kompani e cila kishte për detyrim të bënte studim e fizibilitetit mbi privatizimin e mundshëm të “Postave të Maqedonisë” dhe “Hekurudhat-Transporti”.
Zekiri tha se në asnjë moment nuk është konstatuar paramendimi i tij në kryerjen e veprës penale dhe se ai ka zbatuar procedurën ashtu siç i është rekomanduar me vendim të Qeverisë, respektivisht të zëvendëskryeministrit Bytyqi.
Sipas tij, zbatimin e procedurës mbi vendimin e Qeverisë nuk e kanë kundërshtuar apo amenduar as këshilltarët juridik të Qeverisë. Sipas akuzës së Prokurorisë së krimit të organizuar dhe korrupsionit, Zekiri me veprimet e tij ka dëmtuar për gati 1.3 milion euro buxhetin e shtetit, para të cilat duhet t’i kthen 6 muaj pas aktvendimit të plotfuqishëm.
Gjykata vendosi që të mos i konfiskon pasurinë për të mbuluar vlerën e dëmit në buxhet pasi rezulton që pronat e tij janë blerë mbi 10 vite para se Zekiri të kryen veprën penale për të cilën akuzohet.