Që nga korriku i vitit të kaluar, Maqedonia është pa Avokat të Popullit. Shumica e mundshme për zgjedhjen e të riut pritet të caktohet më 12 janar, ndërsa për shkak se kërkohet shumica e Badenterit, pra duhet të bindet edhe BDI-ja për të votuar. Aktualisht nuk ka asnjë takim të caktuar, por në ditët në vijim është e mundur që Mickoski të takohet me Ali Ahmetin për këtë çështje, me qëllim tejkalimin e problemit. Kryeministri tha se në ditët që vijnë do të bisedojë me të gjithë deputetët.
“Do të bisedojmë në periudhën që vjen me shumicën e deputetëve dhe grupet parlamentare për të tejkaluar këtë problem. Vlerësojmë se duhet tejkaluar, sepse kjo është pjesë e raportit që përgatit Komisioni Evropian për përparimin e Maqedonisë si shtet, dhe nëse vërtet duam të ecim përpara, nëse kemi të njëjtën dëshirë si pjesë e barabartë e kornizës së BE-së, nuk shoh arsye pse një zgjidhje e tillë nuk duhet të mbështetet dhe gjithçka të përfundojë”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Nga BDI-ja për TV21 thanë shkurt se aktualisht nuk ka asnjë iniciativë nga ana e kryeministrit ose shumica parlamentare për një takim ku do të diskutohej sigurimi i shumicës së Badenterit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
“Jo, aktualisht nga ana e tyre nuk ka asnjë iniciativë për takim ku do të diskutohej kjo temë”, u shpreh Arbër Adem – sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.
Para disa ditësh, punonjësit e këtij institucioni dhe dy zëvendësit e mbetur të Avokatit të Popullit dërguan një letër në Kuvend, ku apeluan për një zgjidhje urgjente të asaj që ata e quajnë situatë pa dalje, në të cilën ndodhen që nga korriku.
“Punonjësit e institucioneve të Avokatit të Popullit aktualisht nuk janë në gjendje të realizojnë shumicën e të drejtave që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, dhe që nga janari 2026 ekziston një rrezik real që të mos marrin pagat personale, gjë që do të ndikojë në pagesat e rregullta për sigurimet shëndetësore, shoqërore dhe pensionale”, thonë nga Zyra e Avokatit të Popullit.
Sipas tyre, më parë kanë dërguar njoftime në Kuvend, por nuk kanë marrë përgjigje. Aktualisht institucioni i Avokatit të Popullit funksionon vetëm me dy zëvendësit – Ilber Rufati dhe Sonja Trifunovska. Avokati i Popullit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi.

