October 4, 2024
BallinaMaqedoni

A do të kalon Menduh Thaçi në VLEN? Ja përgjigja e Mexhitit!

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti i cili është pjesë e koalicionit “VLEN”, duke komentuar daljen e Menduh Thaçit nga Fronti Evropian me në krye BDI-në, tha se partitë në këtë front nuk janë bashkuar ideologjikisht, por për të mbijetuar në skenën politike.

Në deklaratën për media dhënë sot në Haraçinë, Mexhiti tha se nuk ka informacione se negociohet me Thaçin për kalimin e tij në “VLEN”.

“Unë personalisht nuk kam negociata të tilla. Siç edhe paralajmërova disa muaj më parë, ata nuk u bashkuan ideologjikisht apo për qëllime të larta, por se si të mbijetojnë në skenën politike”, ka thënë Mexhiti.

I pyetur nëse planifikojnë të negociojnë me deputetë të BDI-së për të kaluar në krahun e “VLEN”-it, Mexhiti ka thënë se në periudhën e ardhshme do të ketë më shumë informacione lidhur me këtë.