Ankohen qytetarët: Gjithçka po shtrenjtohet, madje edhe gjiza (Video)
Rritja e çmimeve po kalon në heshtje, qytetarët: Çdo ditë hasin në çmime të reja
Piku i verës solli një valë të re të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore. Qytetarët habiten thuajse çdo ditë me çmimet e reja në tregje. Që nga kjo javë qytetarët blejnë disa produkte të ndryshme më shtrenjtë, edhe pse para një muaji u rrit për 10% edhe çmimi i prodhimit bazë të bukës. Muajt e fundit po përballemi me një rritje të ndjeshme të çmimeve të prodhimeve elementare të jetës, veçanërisht të ushqimeve. Ndërkohë, qytetarët po përpiqen të përshtaten me realitetin ekonomik, por shumë pyesin se sa mund të zgjasin nëse çmimet vazhdojnë të rriten.
“Kjo është katastrofë, nuk jetohet kështu, nuk kemi ku të punojmë a në anën tjetër çmimet janë shtrenjtuar shumë. Ky shtet nuk e di përse nuk i rrit rrogat dhe ne mezi mbijetojmë. Vaji ishte 45 denarë a tani është 120 denarë, por edhe gjërat tjera ushqimore janë shtrenjtuar si pashtetat, makaronat e gjitha me radhë, ky vend i ynë është katastrofë”, u shpreh një qytetar.
Nga ana tjetër shitësit me pakicë thonë se janë detyruar të rrisin çmimet pasi që nga furnitorët malli ju vjen më shtrenjtë. Ata bëjnë thirrje për ndërhyrjen e shtetit për të rregulluar këtë amulli ekonomike.
“Tani sinqerisht të them furnitorët që sjellin mallin na rrisin çmimin 10, 50, 100 denarë në çdo 2-3 muaj, mbase as ata nuk duan por edhe ata prej nga i tregtojnë supozoj që ju kanë shtrenjtuar dhe si pasojë e kanë patjetër edhe neve të na shtrenjtojnë. Ne shitësit deshëm apo jo e kemi patjetër ti rrisim sepse edhe ne punojmë për të fituar sepse është shtrenjtuar mielli, vaji, mishi, gjiza, madje edhe sheqeri”, tha një furrtar.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se hesapi nuk del mirë as për muajin korrik. Shporta e konsumit minimal për një familje 4 anëtarësh pritet të rritet në pjesën e ushqimoreve.
“Jemi në përpilim të listës së produkteve ushqimore, të cilat kanë shënuar rritje këtë muaj dhe që do të përfshihen në shportën sindikale të konsumit. Nga vlerësimet fillestare, përveç produkteve ushqimore vëmë re rritje të shërbimeve gastronomike dhe hotelierike”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Çmimet e ushqimeve u rritën për të tretin muaj radhazi në maj, njoftoi Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara. Në raportin e FAO-s thuhet se çmimet e drithërave në qershor u rritën me 5.8% në krahasim me majin. Ky ishte rezultat i një rritjeje të çmimeve të eksportit të grurit, duke reflektuar shqetësimet në rritje për kushtet e pafavorshme të të korrave që reduktojnë rendimentet për të korrat e vitit 2024 në zonat kryesore prodhuese, duke përfshirë pjesë të Amerikës së Veriut, Evropës dhe rajonit të Detit të Zi, përfshirë Ukrainën, Bjellorusinë dhe Rusinë. /alsat.mk
Video në Link: https://www.facebook.com/share/v/3CysgUCwCCBFw7vy/?mibextid=WC7FNe