Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Mendi Qyrës se “ka qenë lëshim vendosja e flamujve vetëm shqiptarë në Strugë me rastin e 28 Nëntorit”, duke e cilësuar veprimin e pushtetit aktual dhe të VLEN-it si “gjunjëzim” para kryeministrit Hristijan Mickoski.
Në një status në Facebook, Ademi kujtoi se gjatë fushatës zgjedhore, përfaqësuesit e VLEN-it promovonin ngritjen e flamurit kombëtar, ndërsa sot – sipas tij, po veprojnë krejtësisht në të kundërtën.
“Para zgjedhjeve, sa kohë BDI ishte në qeveri, thoshin: ‘Ngriteni flamurin lart e më lart.’ Pas zgjedhjeve, kur u futën në qeveri si Rrahman Morina dikur, e lëshuan bajrakun”, shkruan Ademi.
Ai kujtoi se gjatë fushatës qytetarëve nuk u ishte lejuar ngritja e flamurit në Tetovë dhe në qytete të tjera me shumicë shqiptare, ndërsa tani, edhe për festën e 28 Nëntorit, autoritetet kanë ndërhyrë ndaj qytetarëve që tradicionalisht vendosin flamurin kombëtar.
“Sot, vetëm pse qytetarët e ngritën flamurin si çdo vit, ua tërhoqën veshin, që të nesërmen t’i kërkonin falje me betim se kurrë nuk do ta përsërisin ‘gabimin’. Por as kjo nuk mjaftoi: brenda ditës policia edhe i paditi”, thekson më tej Ademi.
Në përfundim, ai e cilëson sjelljen e VLEN-it dhe përfaqësuesve të qeverisë si nivel ekstrem të nënshtrimit politik.
“Nuk di më çfarë të them! Edhe vetë Rrahman Morina do t’ua kishte zili për shkallën e servilitetit dhe vasalitetit”.
Reagimi i Ademit vjen në mesin e debatit të ndezur për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare në komunat me shumicë shqiptare, sidomos pas qortimit të Mickoskit ndaj kryetarit të Strugës, Mendi Qyra për flamujt shqiptarë që u vendosën në Strugë më 28 Nëntor.

