“Bëhet fjalë për një zgjidhje sistematike të problemit të ndriçimit publik në çdo vendbanim të komunës”, thotë i besueshmi i Qeverisë për këtë Komunë, Oner Jakuposki, ndërsa shton se aktivitetet do të zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar, në mënyrë që problemi të zgjidhet sa më shpejt

Vjollca SADIKU

Dibër, 5 dhjetor – Vendbanimet rurale të komunës Mavrovë Rostushë prej vitesh janë përballur me mungesë të ndriçimit publik apo me ndriçim të pjesshëm, i cili ka funksionuar vetëm në disa zona qendrore të fshatrave më të mëdhenj si Rostusha, Skudrinja dhe Zhirovnica. Pjesa më e madhe e fshatrave ka qenë në terr të plotë, ndërsa projektet e mëparshme nuk janë realizuar për shkak të mungesës së mjeteve të mjaftueshme, bëjnë të ditur nga administrata lokale e komunës. Megjithatë, këto ditë ka nisur zbatimi i një projekti të ri gjithëpërfshirës, i cili ka për qëllim rregullimin e plotë të ndriçimit publik në të gjitha fshatrat e komunës.

“Bëhet fjalë për një zgjidhje sistematike të problemit të ndriçimit publik në çdo vendbanim të komunës”, thotë i besueshmi i Qeverisë për këtë Komunë, Oner Jakuposki. Ai thekson se aktivitetet do të zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar, në mënyrë që problemi të zgjidhet sa më shpejt. Sipas Jakuposkit, ndërhyrjet e deritanishme kanë qenë vetëm parciale dhe pa efekt afatgjatë. Prandaj, projekti aktual parasheh tejkalimin e të gjitha difekteve dhe sanimin e rrjetit ekzistues, modernizimin e rrjetit elektrik në vendbanimet rurale, zëvendësimin e instalimeve të vjetra me instalime moderne, si dhe mirëmbajtje të rregullt të ndriçimit publik në të gjitha fshatrat.

Ai shpjegon se qëllimi kryesor i projektit është rritja e sigurisë së banorëve dhe vizitorëve gjatë orëve të natës, si dhe përdorimi më efikas i mjeteve financiare që komuna ndan për ndriçimin publik.

Ky projekt i pushtetit vendor është vlerësuar si shumë i nevojshëm, pasi mungesa e ndriçimit publik ka qenë problem i vazhdueshëm në shumicën e fshatrave. Përveç ndriçimit të dobët, banorët shpesh janë përballur me defekte të rënda në rrjetin elektrik, sidomos gjatë dimrit, kur dëmtimet kanë zgjatur për disa ditë. Në disa raste, banorët e Rekës së Poshtme kanë protestuar kundër kompanisë EVN, pasi mungesa e energjisë elektrike ka zgjatur me ditë të tëra. Me zbatimin e këtij projekti, nga komuna shpresojnë që problemet kronike të mbeten pjesë e së kaluarës dhe të sigurohet një infrastrukturë moderne, funksionale dhe e qëndrueshme për të gjithë fshatrat e zonës. (koha.mk)

sqShqip