Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev thotë se mbështet anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, por jo në kurriz të të drejtave të bullgarëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut do ta përshpejtojë ndjeshëm rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe shpresoj që fqinji ynë jugperëndimor do ta bëjë këtë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të hapë dyert për negociata për anëtarësim të plotë”, tha Presidenti bullgar Rumen Radev në një takim me përfaqësuesit e organizatave të komunitetit bullgar në Maqedoni nga Manastiri, Ohri, Shkupi, Prilepi, Kavadari dhe Koçani, njoftoi shërbimi për shtyp i kreut të shtetit bullgar.
Radev tha se ;shtë detyrë e çdo shteti demokratik të mbrojë në mënyrë efektive të drejtat e të gjithë qytetarëve të tij dhe të garantojë të drejtën e tyre për vetëvendosje.
“Ne të gjithë shpresojmë që integrimi i Maqedonisë të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur, por kjo nuk mund të bëhet në kurriz të të drejtave të komunitetit bullgar në vend”, theksoi presidenti bullgar.
Në këtë drejtim, Radev shprehu shpresën se autoritetet e RMV-së do ta zbatojnë kompromisin evropian të vitit 2022 sa më shpejt të jetë e mundur dhe do t’i përfshijnë bullgarët në kushtetutën e tyre.

