FFM i del në mbrojtje Alioskit, kërkon nga UEFA dënim për Marko Arnautoviqin
Një epizod jo i hijshëm ndodhi në ndeshjen e mbrëmshme ndërmjet Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut të luajtur në kuadër të grupit C në Kampionatin Europian, me sulmuesin austriak Marko Arnautoviq që përdori shprehje në baza nacionale ndaj Ezgjan Alioskit pas shënimit të golit të tretë.
Për të njejtën ka reaguar Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar nga UEFA dënim të ashpër për Arnautoviq.
Reagimi i plotë i FFM-së:
Federata e Futbollit të Maqedonisë dënon ashpër shprehjen në baza nacionale të reprezentuesit të Austrisë, Marko Arnautoviq kundrejt reprezentuesit tonë Ezgjan Alioski pas shënimit të golit në ndeshjen e mbrëmshme me Maqedoninë. Në të njejtën kohë ju informojmë se kemi dorëzuar letër zyrtare deri tek UEFA në të cilën kërkojmë dënim të rëndë për reprezentuesin austriak, Marko Arnautoviq.
Si “Shtëpi e Futbollit” gjithmonë jemi kundër nacionalizmit, diskriminimit dhe të gjitha formave tjera të fyerjeve të cilat nuk janë në frymën e futbollit dhe vlerave për të cilat ne të gjithë jemi së bashku.
Gjithmonë do të qëndrojmë dhe do ti mbrojmë interesat dhe dinjitetin e reprezentuesve të Maqedonisë kudo që ata do të luajnë.