“Kemi vendosur prioritete të qarta për një standard të ri transparence, forcimin e përgjegjësisë, përmirësimin e etikës institucionale dhe hapjen e Kuvendit ndaj shoqërisë,” theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në fjalimin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër korrupsionit, duke shtuar se nuk është mirë që korrupsioni gjithmonë lidhet me politikën.

“Edhe pse supozohet që politika duhet të përmirësojë jetën dhe të ndërtojë të ardhmen, është tragjike kur një vend arrin në pikën ku për shumë qytetarë fjala ‘politikë’ lidhet me fjala ‘korrupsion’. Kjo është tregues se nuk kemi të bëjmë vetëm me një problem institucional, por me një plagë të thellë në kulturën shoqërore, një mentalitet i rrënjosur vite më parë përmes keqpërdorimeve dhe zhgënjimeve”, tha Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.

Kryetari i ri i Komisionit Antikorrupsion, Adem Çuçul, ose siç e quajti Gashi “kapiteni i ri i anijes në betejën kundër korrupsionit”, njoftoi strategjinë kombëtare për përballimin e kësaj të keqeje shoqërore.

“Në periudhën në vijim do të vazhdojmë me intensitet më të madh të promovojmë integritetin personal dhe institucional përmes përmirësimit të integritetit në të gjitha organet e pushtetit publik, sistemeve të automatizuara për njohjen e rreziqeve nga korrupsioni, forcimit të mekanizmave për menaxhimin e konflikteve të interesit, mbështetjes së sinjalizuesve dhe trajnimit të strukturave udhëheqëse në institucionet. Një sfidë e veçantë do të jetë përshtatja dhe implementimi i sistemit të integritetit në institucionet e drejtësisë”, pohoi Adem Çuçul – Kryetar i KSHPK.

Në Raportin vjetor për përparimin e vendit tonë nga Komisioni Evropian është theksuar se në luftën kundër korrupsionit nuk ka rezultate reale dhe ekzistojnë dobësi sistemike. Korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe një sfidë e rëndësishme që duhet të zgjidhet, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian.

sqShqip