Në ambientet e Universitetit të Tetovës u zhvillua sot Konferenca e 2-të Ndërkombëtare e Studentëve, një ngjarje akademike që mblodhi studentë dhe profesorë nga fusha të ndryshme të studimeve. Në këtë konferencë, studentja kërçovare Rezelinda Dauti prezantoi punimin e saj mbi një temë inovative dhe gjithnjë e më relevante për rininë e sotme, transmeton lideri.mk.
Tema e prezantimit ishte “Mes Realitetit dhe Virtualitetit: Ndikimi Psikodermatologjik i Rrjeteve Sociale dhe Filtrave Digjitalë në Perceptimin e Papërsosmërisë së Lëkurës te të Rinjtë.”
Përmes këtij prezantimi, Dauti solli në vëmendje lidhjen mes mirëqenies psikologjike dhe perceptimit të lëkurës në epokën digjitale, duke ofruar një qasje të re mbi ndikimin e filtrave dhe estetikës virtuale te të rinjtë.
Aktiviteti u zhvillua nën mbikëqyrjen e Prof. Arben Emurlait, i cili ka mbështetur dhe udhëhequr studentët gjatë përgatitjes së punimeve të tyre kërkimore.
Konferenca shënoi një hap të rëndësishëm drejt nxitjes së mendimit shkencor dhe promovimit të të rinjve në kërkim dhe inovacion.

