Qeveria kroate në seancën e sotme mori vendim për prokurimin e një sistemi mbrojtës kundër dronëve, 18 obusëve francezë Cezar, 44 tankeve Leopard 2A8 dhe 420 kamionëve të rëndë fuoristradë TATRA me një vlerë totale prej gati 2 miliardë eurosh, të cilat do ta modernizojnë ndjeshëm Ushtrinë Kroate, raporton Anadolu.
“Në seancën e sotme të qeverisë, morëm vendim për vazhdimin e investimeve të mëdha në modernizimin dhe pajisjen e Ushtrisë Kroate, me një vlerë totale prej gati 2 miliardë eurosh”, shkroi zëvendëskryeministri dhe ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
Ai theksoi se qeveria kroate dhe Ministria e Mbrojtjes janë “të përkushtuara fuqimisht” për përmirësimin dhe modernizimin e mëtejshëm të aftësive të Ushtrisë Kroate sepse, siç theksoi ai, ky është “një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë e qytetarëve dhe mbështetje për objektivat e aftësive të NATO-s”.
Pajisja me sisteme anti-dronë, tha ai, përfaqëson një hap strategjik përpara në zhvillimin e aftësive mbrojtëse kombëtare dhe forcimin e bazës industriale dhe teknologjike vendase.
“U morën vendime për prokurimin e 44 tankeve të teknologjisë së fundit Leopard 2A8, 18 obusëve vetëlëvizës Caesar MK2, 420 kamionëve të rëndë fuoristradë TATRA T-815-7 si dhe katër sistemeve të mbrojtjes kundër dronëve nga kompania kroate Konçar”, theksoi Anushiq.
Ai tha se të tre projektet do të financohen nga instrumenti financiar SAFE i Bashkimit Evropian, dhe sistemi i mbrojtjes kundër dronëve nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.
“Nënshkrimi i kontratës për obusët vetëlëvizës Caesar MK2 dhe tanket luftarake Leopard 2A8 do të zhvillohet javën e ardhshme në Paris dhe Berlin. Është veçanërisht e rëndësishme që kompanitë vendase Konçar dhe Gjuro Gjakoviq të përfshihen gjithashtu në këto projekte, të cilat do të stimulojnë më tej zhvillimin dhe forcimin e industrisë kroate të mbrojtjes”, shtoi ai.
“Po flasim për zbatimin e kredisë që morëm nga instrumenti SAFE i BE-së dhe të gjitha këto janë investime që do të kontribuojnë në përmbushjen e objektivave që morëm si vend në samitin e NATO-s në vitet në vijim”, tha kryeministri kroat Andrej Plenkoviq.
Kroacia ka rritur gjithashtu investimet në mbrojtje përmes blerjes së avionëve luftarakë francezë “Rafale”, sistemeve turke pa pilot “Bayraktar” dhe pajisjeve të tjera ushtarake për forcat ajrore dhe tokësore./aa

