IGFM-ISHR deklaron qartë dhe prerë: ne përkrahim çdo demonstratë në mbrojtje të çlirimtarëve dhe të drejtave të shqiptarëve, por jemi kategorikisht kundër manipulimit politik të popullit nga Ali Ahmeti dhe struktura e tij e degradimit kombëtar.

Për 23 vite me radhë në Maqedoni janë kryer krime monstruoze kundër shqiptarëve, ndërsa partia e Ali Ahmetit ka qenë pjesë e qeverive, pjesë e sistemit të represionit, pjesë e pazareve të pista dhe pjesë e heshtjes së turpshme.

Sot ai guxon të thërrasë popullin në protestë, ndërsa në këto dy dekada ka qenë bashkë-autor moral i padrejtësive dhe burgosjeve politike ndaj shqiptarëve.

Ndërkohë që ne, si Forum Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, për 22 vite me radhë kemi organizuar demonstrata, kemi bërë grevë urie, kemi ngritur çështje në institucione dhe në arenën ndërkombëtare, por Ali Ahmeti asnjëherë nuk e ka ngritur zërin, nuk ka qenë pranë kauzës dhe as nuk ka ofruar mbështetje — sepse heshtja e tij ka qenë pjesë e lojës politike.

Ne i kujtojmë publikisht:

Rastet e montuara në Sopot e Brodec, ku u godit rezistenca patriotike;

Montimet kriminale Mostra dhe Alfa, ku shqiptarë u dënuan pa faj;

Masakra dhe tradhtia ndaj Lagjes së Trimave në Kumanovë, ku luftëtarët u sakrifikuan ndërsa politika bëri heshtje të qëllimshme;

Vrasjet e komandantëve të UÇK-së – Komandant Struga, Iliri, Arun Aliu Shqiponja dhe të tjerë, që u lanë pa drejtësi dhe pa zë;

Dënimet e përjetshme ndaj ushtarëve të UÇK-së, të braktisur në burgje prej atyre që sot flasin për liri;

Tragjedia e Armirit 5-vjeçar, plagë e hapur e racizmit shtetëror ndaj shqiptarëve.

Ku ishte Ali Ahmeti?
Ku ishte partia e tij?

Pse nuk protestuan kur shqiptarët vriteshin, burgoseshin dhe montoheshin, ndërkohë që ne protestonim, grevonim dhe rrezikonim — ndërsa ai heshti?
Pse sot kërkon turmë, ndërsa për 23 vite ka shitur interesin kombëtar dhe ka heshtur para varreve dhe burgjeve tona?

IGFM-ISHR e konsideron këtë demonstratë tentativë të turpshme për riciklim imazhi dhe shpëlarje të përgjegjësisë politike.

Ne deklarojmë:

Shqiptarët nuk kanë nevojë për shfaqje partiake.

Shqiptarët nuk kanë nevojë për hipokrizi të atyre që bashkëpunuan me shtypjen e tyre.

Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi të vërtetë dhe llogaridhënie, jo teatër politik.

IGFM-ISHR përkrah çdo protestë të sinqertë dhe çdo zë të vërtetë çlirimtar, por refuzon me neveri instrumentalizimin e dhimbjes së shqiptarëve nga ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të sistemit të shtypjes.

Ky popull nuk mund të mashtrohet më.
Historia nuk fshihet me demonstrata të improvizuara.
Drejtësia vjen me llogari, jo me populizëm.

Me respekt,
Idriz Sinani
Kryetar Nderi i IGFM-ISHR

sqShqip