DASH mbështet hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price është shprehur se SHBA mbështet hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.
“Ne mbështesim hapjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pa vonesë. Ne jemi duke u angazhuar në nivelet më të larta të qeverisë për të demonstruar përkushtimin tonë në rrugët evropiane të aspirantëve”, shkruan z. Price në një postim në Twitter.
Për çështjen e negociatave të Shqipërisë dhe RMV-së me Bashkimin Europian foli një ditë më parë edhe komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi.
Ky i fundit, pas Samitit të Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në Tiranë, deklaroi se ka një angazhim të madh për të mundësuar nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Komisioneri Varhelyi shtoi se po punohet pas kuintave dhe se qershori është muaji i vendimeve.