Maqedoni

Anulohet gjykimi ndaj Ramiz Merkos

Në sallën e Gjykatës Themelore të Strugës nuk u paraqit Ramiz Merko, i cili sot duhej të vijë për rastin e blerjes së automjetit luksoz Audi A6 me vlerë 70 mijë euro dhe tre vetura të tjera për nevoja të komunës. Nuk erdhi as avokati i tij, Igor Petkovski. Fillimi i procesit gjyqësor me kërkesë të mbrojtjes është shtyrë, për shkak të një hetimi të gjerë për rastin. Dënimi me burgim për këtë vepër është nga një deri në pesë vjet.

“Akuza është për veprën e keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Ne besojmë se ka vepër. Do ta mbështesim aktakuzën e paraqitur nga Prokuroria Themelore-Shkup”, deklaroi Nikolla Jolevski – prokuror publik.

Në aktakuzën ndaj Merkos thuhet se blerja është bërë në kohën kur komuna ka pasur llogari të bllokuar.

“Në kundërshtim me parimet e ligjshmërisë dhe integritetit, si dhe në kundërshtim me interesin publik, në kushtet kur komuna kishte borxhe të papaguara dhe xhirollogari të bllokuar, i akuzuari ka blerë katër automjete me vlerë prej rreth 114.000 euro, duke përfituar kështu leverdi pronësore për bartësin e prokurimit publik”.

Avokati Petkovski thotë se më 18 prill ka kërkuar shqyrtim të lëndës dhe marrjen e provave, por nuk i kanë marrë për arsye teknike.

“Qëllimi ynë nuk është ta shtyjmë atë, por qëllimi është që kur t’i shohim provat e prokurorisë, të kundërshtojmë provat e mbrojtjes me të cilat do t’i kontestojmë ato prova dhe do të vërtetojmë tezën se nuk ka përgjegjësi nga ana e kryetarit të komunës në lidhje me këtë çështje”, u shpreh Igor Petkovski- avokat i Ramiz Merkos.

“Gjykimi për automobilin luksoz “Audi” të kryetarit aktual të Strugës, Merko, është shtyrë për më 3 qershor. Gjykimi vjen gati 10 muaj pasi Merko u vendos në listën e zezë të Amerikës dhe u shpall persona “non grata” nga Departamenti amerikan i shtetit”, raporton Miki Trajkovski gazetar.

Merko më 22 maj duhet të paraqitet para gjykatës për vepër tjetër, Prokuroria hapi rast edhe për emërimin e paligjshëm të ushtruesit të detyrës në shkollën fillore në fshatin Labunishtë. /Alsat.mk