Regjistrimi i automjeteve shtrenjtohet për 15.4%
Sipas çmimores së re, të gjitha veturat të cilat do të regjistrohen do të duhet të paguajnë më shtrenjtë sesa çmimi i deritanishëm, respektivisht polisa për sigurimin e veturave është shtrenjtuar për 15.4 për qind. Kështu ka vendosur byroja nacionale e sigurimeve. Ndërsa nga Agjencia për Mbikëqyrje janë prononcuar përmes një komunikate në të cilën thonë se një vendim i tillë është i pabazë. Sipas çmimores së re, nëse një qytetari për ta regjistruar veturën e tij që është nga 45 deri më 55 KW, i janë nevojitur 5.453 denarë, i njëjti shërbim tanimë do të kushtojë 6.293 denarë. Kurse çmimet për veturat të cilat janë deri më 44 KW mbeten të njëjta. Shtrenjtimi i polisave i ka zënë në befasi qytetarët.
“Gjithçka varet nga të ardhurat në një familje, për dikë mund të jetë shumë shtrenjtë, e për dikë nuk luan shumë rol.”, – tha një qytetar.
“Kemi shumë harxhime tjera nga të gjitha anët dhe vetëm edhe kjo na ka munguar.”, – tha një qytetar tjetër.
“Ne i kemi polisat më të shtrenjta, kemi regjistrimet më të shtrenjta, ndërsa tani me shtrenjtimin e ri të do të jenë këto çmime edhe më të larta, thjeshtë nuk e dimë deri ku mund të shkojë kjo.”, – u shpreh një qytetar.
“Super, le ta shtrenjtojnë edhe 20 për qind.”, – u shpreh një qytetar tjetër.
“Kjo do të na godasë në xhepat tanë, por ne jemi të pafuqishëm, çfarë mund të bëjmë?!”, – theksoi një qytetare.
- Por byroja për mbikëqyrje ka dalë me qëndrim se ky vendim është i pabazë dhe do të kërkojnë që çmimet të kthehen si më parë, por vendimin përfundimtar do të duhet ta sjellë Ministria e Financave ditën e hënë, ku në takim i kanë ftuar të gjitha palët, të cilët janë të kyçur në këtë problematikë, por do të kërkojnë edhe mendim nga Agjencia për mbrojtjen e konkurrencës, kurse kompanitë e sigurimeve këtë informacion e kanë pranuar që nga dita e hënë dhe kanë qenë të njoftuar nga Byroja Nacionale për Sigurime, dhe mbetet enigmë se pse qytetarët deri më tani nuk kanë qenë të njoftuar, ndërsa në bazë të ligjeve të vendit tonë, polisa e sigurisë mbetet si i patjetërsueshëm./TVM2