Prokuroria Publike, asnjë kallëzim për krim lidhur me zgjedhjet
Prokuroria Publike ka njoftuar se gjatë ditës së votimit deri në mbylljen e vendvotimeve, në adresën e saj elektronike nuk është pranuar asnjë kallëzim për krim lidhur me zgjedhjet.
“Sipas informacioneve të marra nga prokuroritë, dita e zgjedhjeve në rrethin e parë të zgjedhjeve për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka kaluar në mënyrë të qetë dhe pa shqetësime të mëdha në procesin zgjedhor. Nuk u regjistruan incidente më të rënda, që do të kishin karakteristikat e krimit kundër zgjedhjeve dhe votimit apo krime të tjera që do të rrezikonin procesin zgjedhor. Komisioni i Përkohshëm i Prokurorisë Publike për parregullsi të mundshme zgjedhore ka monitoruar rrjedhën e votimit dhe gjatë ditës janë organizuar punë të jashtëzakonshme në të gjitha prokuroritë themelore publike.” – thuhet në kumtesën e Prokurorisë, duke shtuar se Komisioni në kuadër të prokurorisë do të vazhdojë punën deri në përfundim të ciklit zgjedhor dhe të gjitha dyshimet e mundshme për vepra penale që mund të prishin procesin zgjedhor do të hetohen me prioritet.